
Ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu, tha dje se heqja e imunitetit është vetëm një hap dhe se hapi tjetër jetik është parandalimi i abuzimit me pushtetin. Në konferencën për shtyp në përfundim të takimit me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama, ai tha se propozimet e opozitës mund të shqyrtohen në shtator ose në fillim të tetorit. Cili ishte qëllimi i takimit tuaj me zotin Rama?
Kjo është pjesë e një serie të zakonshme konsultimesh që kemi pasur. Siç mund ta imagjinoni, një pjesë e mirë e diskutimit u fokusua te çështja e lënë pezull e imuniteteve, te ndryshimet kushtetuese për heqjen e imuniteteve. Nëse më lejoni, do të doja të vija në dukje disa pika në lidhje me pozicionin e Shteteve të Bashkuara. Nëse nuk ju vjen keq, do të lexoj, sepse mendoj se kjo është tepër e rëndësishme.
Pikë së pari, Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë deklaruar qëndrimin e tyre se heqja e imuniteteve është një hap i rëndësishëm drejt luftës kundër korrupsionit, drejt arritjes së një llogaridhënieje më të lartë nga ana e zyrtarëve publikë. Thënë këtë, ne besojmë se heqja e imuniteteve është vetëm një hap nga disa të tillë që duhet të merren në mënyrë që korrupsioni të luftohet në mënyrë efektive dhe se disa nga këta hapa përfshijnë masa që duhet t’i japin fund ndërhyrjes së tepërt politike te funksionimi i Gjyqësorit, te puna e zyrës së Prokurorit etj. Koha e ndërmarrjes së hapave për këto masa është diçka që i takon sistemit politik shqiptar ta vendosë, por, nga pikëpamja jonë, është e rëndësishme që kjo të kryhet.
Përsa i përket draftit që po diskutohet aktualisht, me sa kuptoj unë, themelet e tij bazohen te rekomandimet e bëra vitin e kaluar nga EURALIUS-i dhe PACA. Qartazi kjo është një bazë e shkëlqyer, një pikënisje e mirë. Të shtunën më bëri shumë përshtypje që pati dëgjesa të gjata, të gjera dhe të hapura në Parlament me dëshmi ekspertësh vendorë dhe ndërkombëtarë, me pikëpamje të ndryshme mbi hapat e mundshëm që mund të merren për të përmirësuar draftin. Bashkësia ndërkombëtare përfaqësohej nga PACA dhe EURALIUS-i, që është gjëja e duhur. Shtetet e Bashkuara nuk ishin zyrtarisht të përfaqësuara në këto dëgjesa, por deklaratat dhe qëndrimet nga EURALIUS dhe PACA përfshinin shumë nga idetë e Shteteve të Bashkuara dhe e kemi të lehtë të themi se bashkëndajmë ato qëndrime.
Me sa kuptoj unë, përfaqësuesve të dy partive tani u është kërkuar që të pajtojnë pikëpamjet e tyre të ndryshme. Shtetet e Bashkuara shpresojnë që të dyja palët do të punojnë me zell për të përfshirë disa nga idetë më të mira që u paraqitën gjatë asaj dite me dëshmi dhe diskutime ekspertësh, dhe se do të jenë në gjendje që t’i përfshijnë ato në një draft të rishikuar që pranohet gjerësisht nga të dyja palët, që pranohet gjerësisht nga populli shqiptar, dhe që nuk do të lërë vend për dyshime se ecja përpara me këtë draft do të ishte në interesin e popullit shqiptar.
Z. ambasador, Partia Socialiste po kërkon gjithashtu që heqja e imunitetit të shoqërohet me ndryshime të tjera kushtetuese në lidhje me emërimin e zyrtarëve të institucioneve të pavarura dhe anëtarëve të gjykatave më të larta të vendit. Z. Rama tha se PS nuk do të marrë pjesë në votimin e datës 6 gusht për heqjen e imuniteteve nëse nuk bihet dakord për kërkesat e tjera. PS ka rekomanduar që votimi të shtyhet për në shtator. A u diskutua kjo kërkesë gjatë takimit? Cili ishte pozicioni i z. Rama mbi këtë çështje?
Duhet të pyesni z. Rama se cili do të jetë qëndrimi i tyre. Unë do të përsërisja atë që sapo thashë, se Shtetet e Bashkuara mbështesin heqjen e imunitetit të pakufizuar, me të cilin është abuzuar në të shkuarën, por, heqja e imunitetit është vetëm një hap. Shumë nga këto hapa të tjerë janë absolutisht jetikë për parandalimin e abuzimeve me pushtetin.
A është kjo koha e duhur për të ndryshuar Kushtetutën në lidhje me këto çështje?
Mendoj se është e vështirë për një të huaj si puna ime të them… Siç e shpjegova, përsa i përket këtij drafti… Më falni, e keni fjalën për çështjet më të gjera, apo çështjen e imunitetit?
Çështjet e tjera…
Qartazi, çështjet më të gjera nuk mund të shqyrtohen para 6 gushtit. Por nuk shoh pse ato nuk mund të merren në shqyrtim në shtator, ose në pjesën e parë të tetorit. Mendoj se është e rëndësishme që ato të merren në shqyrtim pasi do të ishte keqinterpretim të thuhej se, nëse nenet e imunitetit hiqen, atëherë lufta kundër korrupsionit do të jetë efektive. Është një hap i rëndësishëm, është një hap thelbësor, por është vetëm një hap.
Javën e kaluar ju deklaruat për reformën elektorale se kishit humbur disa baste. Keni vendosur ndonjë bast këtë radhë mbi atë që do të ndodhë më 6 gusht? Do të kalohen amendimet, apo jo?
Pikë së pari, duhet të them se e mësova mësimin dhe nuk vë më baste. Sa për 6 gushtin, unë do të përsëris atë që sapo thashë, që drafti fillestar ishte bazuar në themele mjaft të forta. Mendoj se të shtunën pati disa dëshmi shumë të vlefshme nga ekspertë të ndryshëm. Nëse disa nga këto ide mund të përfshihen në draftin e rishikuar, atëherë 140 parlamentarët duhet të vendosin nëse kjo është diçka të cilën ata duan ta çojnë përpara më 6 gusht.
A do të vazhdojë turi i konsultimeve deri më 6 gusht?
Unë jam gjithnjë i gatshëm, por mendoj se, pasi kemi hyrë pak më thellë në pikëpamjet tona, nuk e di se sa mund të thuhet më tepër. Unë nuk do të them se legjislacioni për imunitetet duhet të aprovohet më 6 gusht. Nuk do ta them këtë. Ajo që po them është se nëse një draft i mirë mund të paraqitet bashkë me ndryshimet që pasqyrojnë një pikëpamje konsensuale, jo vetëm të njërës palë, mbi mënyrën e ecjes përpara, atëherë shpresoj që ata të vendosin çfarë është më mirë për vendin.
Pjesëmarrësit në një forum të shoqërisë civile para pak ditësh deklaruan se ndryshimet e Kushtetutës nuk duhet të bëhen me ngut dhe se konsultime më të gjera janë të nevojshme. Pati gjithashtu kritika për ju personalisht për atë që u konsiderua presion mbi palët për t’i kaluar këto ndryshime sa më shpejt.
E keni fjalën për forumin e Presidentit Moisiu?
Po.
Unë kam shumë respekt për Presidentin Moisiu dhe për forumin. Shpresoj që deklarata jonë sot të ndihmojnë paksa në qartësimin e qëndrimit tonë.
Një pyetje të fundit, ju lutem. Nesër është ceremonia zyrtare në të cilën z. Nishani do të marrë detyrën e tij si Presidenti i ri i Republikës. Nëse opozita e bojkoton këtë, si do ta interpretojë Ambasada e SHBA këtë vendim?
Kjo është një pyetje hipotetike dhe duhet të pyesni opozitën nëse ka ndër mend të marrë pjesë apo jo.
Do ta bëjnë të ditur nesër qëndrimin e tyre.
Në rregull. Faleminderit.











