Arvizu: Të drejtat e LGBT janë të drejtat e njeriut

Jun 14, 2012 | 9:52

TIRANË- “Të drejtat e LGBT janë të drejtat e njeriut”. Këtë mesazh kanë dhënë sot të pranishmit në seminarin e parë rajonal LGBT/ve nën kujdesin e Ambasades Amerikane në Tiranë.

Konferencën e përshëndeti sekretarja amerikane e shtetit, Hilary Clinton përmes një videokonference ku kërkoi angazhim të qeverive në mbrojtjen dhe respektimin e lirive dhe të drejtave të tyre.

Ambasadori i SHBA, Aleksandër Arvizu, duke deklaruar se dhuna ndaj kësaj kategorie nuk ka mbaruar dhe ata diskriminohen, ka përsëritur apelin e Clinton se SHBA do qëndrojnë të palëkundur në apelin ndaj qeverive për të mbështetur të drejtat e e njeriut pavarësisht nga orientimi seksual.

I pranishëm në këtë konferencë ka qenë edhe kreu i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha i cili ka kujtuar se në mbrojtje dhe respekt të lirive dhe të drejtave, qeveria ka miratuar ligjin kundër diskriminimit. “Në bashki kemi hapur zyrën kundër diskriminimit dhe bashkëpunojmë me Avokatin e Popullit dhe Ministrinë e Punës. Besoj se toleranca nuk është koncept, por si një virtyt i provuar i shqiptarëve përmes shekujve të errët të historisë do të vazhdojë të jetë vlerë dhe një nxitës në rrugën evropiane”- tha Basha.

I pranishëm ishte edhe Avokati i Popullit, Igli Totozani, i cili ka qenë në vazhdimësi në përkrahje të komunitetit LGBT. Totozani dhe disa sugjerime sesi mund të tejkalohen paragjykimet dhe diskriminimi kundrejt komunitetit LGBT.

“Së pari; nëpërmjet një debati publik të hapur e të qytetëruar, korrekt, të drejtë dhe gjithpërfshirës. Një debat i tillë është më se i nevojshëm sepse ka dëshmuar se e rrit ndërgjegjësimin qytetar, e rrit ndjeshmërinë publike për shqetësimet e qytetarëve tanë, e rrit vëmendjen e administratës publike dhe asaj private për këtë çështje madhore. Ky debat do të ndihmonte çdo qytetar të këtij vendi – dhe më shumë se kaq të këtij rajoni – se e vërteta e këtyre bashkëqytetarëve është shumë më e thjeshtë se ç’duket dhe më lehtë e pranueshme për cdo zemër dhe mendje demokratike. Këta bashkëqytetarë, nuk kërkojnë më shumë të drejta se pjesa tjetër e shoqërisë. Ata veç kërkojnë që të drejtat e njeriut të zbatohen efektivisht si për të gjithë të tjerët.

Së dyti; një rëndësi jetike ka ajo ç’ka do ta konsideroja si përditshmëria e zbatimit të kuadrit ligjor ekzistues. Në këtë kuadër ka shumë për të bërë. Duke filluar që nga ankesat që përditë mbërrijnë në dyert e institucioneve tona deri tek trajnimet me administratën publike dhe ato private. Gjithçka duhet ta bëjmë bashkë me institucionet shtetërore, organizatat ndërkombëtare dhe shoqërinë civile.

Së treti; e ardhmja. Çfarë duhet të bëjmë në të ardhmen e afërt dhe atë të largët. Për të thënë diçka më konkrete në këtë drejtim po i thërras në ndihmë një personaliteti të shquar të të drejtave të njeriut Komisarit për të Drejtat e Njeriut në Këshillin e Europës Zotit Hammamberg”, i cili sipas AP-së, Totozani kërkon një reformim të legjislacionit për t’i garantuar personave LGBT të njëjtat të drejta si për çdo person tjetër, marrjen e masave për ata që ndalojnë manifestimet, rishikimi të historisë për të qartësuar krimit e nazizmit ndaj LGBT-së, mësimdhënia shkollore do të duhet të përfshijë një informim objektiv mbi homoseksualitetin, etj.”

© Panorama.al

Te lidhura