Arvizu, Tavos: Mbështetje për reformën në Shëndetësi

Jul 26, 2012 | 12:00
Ambasadori Arvizu gjatë takimit me ministrin Tavo

Panorama aktuale e shëndetësisë në vend, reformat e ndërmarra me mbështetjen e programeve të rëndësishme apo projekte të suksesshme si Telemedicina, ishin pjesë e diskutimit në takimin që ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu, pati me ministrin e Shëndetësisë. Ambasadori shoqërohej nga përfaqësuesi i USAID, Marc Ellingstad dhe drejtori i Vullnetarëve të Korpusit të Paqes. Duke e uruar ministrin Tavo për detyrën e re, ambasadori Arvizu bëri vlerësimet e tij mbi ecurinë që kanë pasur dy prej projekteve më të rëndësishme në sektorin e Shëndetësisë. “Telemedicina dhe projekti i USAID Reforma në Shëndetësi, janë dy shembuj, që kemi bërë dhe mund të bëjmë mirë. Të gjithë kanë dëgjuar për nismën ‘Vepro tani’. Nisur nga eksperiencat e mëparshme nga kjo nismë, mendoj se duhet të mbledhim të gjitha burimet për të arritur diçka. Sa u takon panaireve të shëndetësisë ato janë një nismë e mirë, një mundësi reale që njerëzit të takohen dhe të shkëmbejnë opinione me njëri-tjetrin”, tha ambasadori. Ai mori edhe falënderimet e numrit një të Shëndetësisë në vend për mbështetjen që SHBA ka dhënë në vijimësi për projekte të rëndësishme. “Doja t’ju falënderoja për të gjithë aktivitetin në fushën e shëndetësisë. Pak kohë më parë, në një takim me përfaqësuesit e USAID patëm rastin të shkëmbejmë mendime në lidhje me projektet e përbashkëta. Doja t’ju falënderoja për mbështetjen konstante që kemi gjetur, veçanërisht në shëndetësi. E kam inkurajuar dhe vazhdoj ta inkurajoj stafin tim për vazhdimin e objektivave që kemi”, tha Tavo. Ai e cilësoi telemedicinën si një histori suksesi dhe ka shprehur objektivat për ta zgjeruar më tej këtë projekt në gjithë vendin. Ky objektiv ka gjetur mbështetjen e përfaqësuesit të USAID i pranishëm në takim, i cili shprehu gatishmërinë për të rishikuar të gjitha mundësitë që ky projekt të shtrihet dhe në pesë spitale të tjera rajonale. Një përfaqësi ekspertësh pritet të diskutojnë javën e ardhshme ne lidhje me detaje të këtij projekti. Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit ishte edhe ajo lidhur me ndihmën që është dhënë nga Vullnetarët e Korpusit të Paqes për edukimin dhe promocionin shëndetësor. Sipas Tavos, aktivitetet e zhvilluara nga ky korpus në disa rajone në vend kanë qenë të një rëndësie të veçantë. “Në buxhetin e ardhshëm pritet të parashikojmë më shumë veprimtari në lidhje me promocionin shëndetësor dhe edukimin në vazhdim dhe në këtë pikë do të kishim nevojë për ndihmën dhe bashkëpunimin e Vullnetarëve të Korpusit të Paqes”, tha ministri.

© Panorama.al

Te lidhura