Në emisionin “Debat”, në “Vizion Plus”, me gazetarin Alfred Peza, ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, u shpreh se rivotimi për Bashkinë e Tiranës, kërkuar nga Partia Socialiste, mbetet një mundësi.Ai adresoi kritika ndaj KQZ-së, e cila, sipas tij, veproi dhe vendosi në mënyrë partiake dhe u shpreh për ndryshimin e formulës së kompozimit të saj.
Kur numërimi po zgjat dy muaj dhe mund të vazhdojë ende, sa demokratike është Shqipëria?
Nëse flisni për numërimin si kriter, do të thosha se vlerësimi është tejet pozitiv. Në Tiranë, ajo që unë kam ndjerë, numërimi i votave në QNV, pati një rezultat paraprak dhe që të gjithë e dinin më 14 maj. Sensi im duke folur me shumë ekspertë është se integriteti i procesit të numërimit të votave më 8 maj, në përgjithësi, në mbarë vendin, ka qenë shumë i mirë dhe në përmirësim me zgjedhjet e tjera. Mendoj se ka pasur disa parregullsi të izoluara dhe unë pres raportin përfundimtar të ODIHR-it për të parë se sa të shpërndara kanë qenë. Por, përsa i përket integritetit të votës që një person ka hedhur dhe a është numëruar ajo votë që është hedhur në mënyrë të saktë, mendoj se rezultati ka qenë pozitiv.
I qëndroni deklaratës suaj se KQZ duhet të shpallte rezultatin paraprak të 14 majit?
Sigurisht, ky ka qenë vlerësimi im në atë kohë dhe i Departamentit të SHBA-ve.
Si i vlerësoni qëndrimet e Presidentit Topi për të gjithë procesin zgjedhor dhe a keni ju një opinion në lidhje me spekulimin që u bë me votën e zotit Topi ditën e zgjedhjeve?
Më lejoni t’i përgjigjem pyetjes së dytë, se kjo është pak më e thjeshtë. Për fat të keq, disa media dhanë disa pamje publike. Ai është një figurë publike, është Presidenti i Republikës, por dhe një qytetar shqiptar që ushtron të drejtën e votës sot. Kështu që mendoj se është një rast i pafat. Sa i takon rolit të Presidentit, ai ka qenë shumë konsekuent, shumë konstruktiv, por ai ka qenë shumë i frustruar për arsye shumë të kuptueshme, sepse roli i tij institucional ka qenë shumë i kufizuar sa i takon procesit zgjedhor. Me Kodin e mëparshëm Zgjedhor, Presidenti rekomandonte drejtpërsëdrejti një anëtar të KQZ-së, por gjithashtu dhe rekomandonte në mënyrë të tërthortë dy anëtarë të tjerë. Kjo gjë ndryshoi me amendimin e Kodit Zgjedhor. Kështu që roli i tij ndaj procesit zgjedhor është i kufizuar.
A keni evidentuar, zoti ambasador, përpjekje të liderëve politikë, të opozitës, por kryesisht të maxhorancës, për të ndikuar vendimmarrjen e institucioneve si KQZ apo Kolegji Zgjedhor?
Po. Më lejoni të flas pak për KQZ-në dhe Kolegjin zgjedhor. Më duhet ta them këtë sa i takon KQZ-së. Kushdo ndjehet i zhgënjyer me KQZ-në që ka vepruar në mënyrë partiake në çdo hallkë. Por, gjithashtu, nga ana tjetër, është e vështirë për mua që të jem tejet kritik, sepse KQZ është sjellë ashtu siç unë e kam pritur. Unë kisha shpresuar se në disa pika kryesore ndoshta do të kishte vota 7 me zero ose 6 me 1, por në të vërtetë, në disa pika qendrore KQZ ka vepruar në mënyrë shumë partiake. Dhe thjesht, përbërja është krijuar si një trup partiak. Unë mendoj se i gjithë ky koncept i KQZ-së duhet rimenduar, sepse është një model me mangësi dhe nuk mendoj se funksionon. Sa i takon Kolegjit Zgjedhor, kam një pikëpamje të ndryshe që ka të bëjë me rolin e Gjyqësorit. Nëse shohim vendimmarrjen e KQZ-së, të gjithë e shohin se është partiake dhe një socialist, p.sh., mendon se është Kolegji që duhet të ndreqë këtë vendimmarrje. Unë e kuptoj emocionin njerëzor, por është pak e rrezikshme që nëse i kërkon Gjyqësorit që të ndreqë një problem politik, ky nuk është roli i tij. Roli i Gjyqësorit është që të mund të shqyrtojë procesin e ligjit, a ka qenë ligji apo kodi i zbatuar si duhet. Këtë duhet të bëjë Kolegji. Nuk duhet ta shohim Kolegjin si një përmasë tjetër të KQZ-së. Do të doja t’u kujtoja njerëzve rolin e Gjyqësorit në Amerikë, rolin e Gjykatës Supreme për Floridën në zgjedhjet e vitit 2000. Aty ka pasur një debat shumë të madh dhe u çua si çështje në Gjykatë, dhe Gjykata Supreme votoi në mënyrë sipas linjës partiake. Kjo ishte një pikë zhgënjimi për shumë njerëz, e veçanërisht për ata që ishin demokratë. Ndonëse njerëzit u zhgënjyen, ata e pranuan faktin se ky është sistemi që ne kemi në vend, është i papërsosur, por duhet të ketë një fitues dhe një humbës. Roli i Gjykatës aty ishte të shqyrtonin zbatimin e ligjit dhe unë mendoj se kjo është dhe ajo që Kolegji Zgjedhor po bën për momentin në Shqipëri.
Nga nota 1 deri në 10, çfarë note do t’i vinit popullit shqiptar në zgjedhjet e 8 majit?
Në fakt do t’i jepja notën 11.
Po klasës politike çfarë note do t’i vinit?
Një notë më pak se 10. Mendoj se ata mund t’ia dalin më mirë dhe të gjithë po përpiqen.
Një notë për KQZ-në?
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vepruar saktësisht sipas mënyrës që njerëzit prisnin të sillej. Kështu, sipas shkallës së vlerësimit tuaj, do të thosha një notë midis pesës dhe gjashtës.
Zoti ambasador, ripërsëritja e zgjedhjeve në Tiranë mund të jetë një zgjidhje?
Kjo mund të jetë një nga mundësitë. Nëse është një mundësi, atëherë le të shpresojmë se do të konsiderohet si opsionet e tjera. Në përvojën time në SHBA, kur organizohen zgjedhje, kjo nuk është diçka e zakonshme. Sa herë ndodh kjo thuhet se njerëzit kanë votuar një herë nëse është e debatueshme, apo e kontestueshme, nëse është shumë i ngushtë rezultati, atëherë duhet përdorur rezultati që ka dalë atë ditë. Në SHBA, p.sh., ka disa juridiksione të caktuara në të cilat marzhi i fitores për kandidat është më pak se gjysma e 1 përqindëshit, atëherë ka një rinumërim automatik, nuk ka rizhvillim zgjedhjesh.
Ne e kemi ndryshe këtu. Këtu është: në rast se diferenca mes dy kandidatëve është më e vogël se numri i votave që nuk përputhen, atëherë përsëriten…
Çështja është se cili është përcaktimi i votave të hedhura gabim.
Jo të votave të hedhura gabim. Kur ka më shumë vota se sa votues, siç jemi aktualisht, kur kemi 870 vota më shumë se votues, ndërsa diferenca që ka nxjerrë KQZ mes kandidatëve është 95 vota…
Procesi është ndërlikuar kaq shumë. Është në besimin tim se procesi është zhvilluar në kornizën ligjore dhe që mendoj se është diçka pozitive. Por, për fat të keq, ky proces u ndërlikua shumë. Në fazën fillestare disa kuti u hapën, disa kuti nuk u hapën, pati probleme me kontestimin. KQZ bëri një veprim. Kështu që unë nuk habitem që nuk ka një përputhje. Do të isha më i shqetësuar nëse nuk do të ishte kjo mospërputhje, por kjo i përket KQZ-së.
ALFRED PEZA











