Dy javë më parë, përfaqësuesi i SHBA në Tiranë, ambasadori Arvizu, theu çdo barrierë diplomatike duke iu drejtuar qytetarëve për të ndryshuar gjendjen e tyre në emër të lirisë. Thjesht, në stilin e së folurës hapur ai u kërkoi shqiptarëve të veprojnë, madje “Tani”, duke e konsideruar çdo minutë të vlefshme për të ndryshuar jetën e gjithkujt dhe jetën e të gjithëve. Një model ky i demokracisë amerikane ku qytetarët marrin në dorë iniciativën e veprimit, për të mos e lënë të keqen t’i mundë, e sidomos të mos dorëzohen përballë situatave që prekin lirinë dhe dinjitetin e tyre.
Po përse vallë duhet të dilte kaq hapur një ambasador dhe a theu ai ndonjë “protokoll” teksa iu drejtua qytetarëve, po të kemi parasysh se ai është një person me një akses të konsiderueshëm në politikën shqiptare, e cila ka edhe institucionet vendimmarrëse?
Duke shfletuar letrat dhe ankesat e ndryshme të qytetarëve, të institucioneve, të shoqërisë civile, të cilat jo rrallë i drejtohen për dijeni edhe Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë, duket se Arvizu ka vendosur t’u përgjigjet publikisht të gjithë atyre që besojnë se mund t’i drejtohen atij në emër të mbrojtjes së lirive, të të drejtave, e sidomos të dinjitetit qytetar. Në këtë pikëpamje, si përfaqësues i një vendi që ka si parim përhapjen e të drejtave dhe lirive të njeriut në mbarë botën, Arvizu zgjodhi një komunikim në emër të atyre që i ishin drejtuar për dijeni të një shkeljeje apo mosdhënie të së drejtës.
Por, në stilin e tij diplomatik, Arvizu iu drejtua qytetarëve për të kuptuar se janë pikërisht ata që vendosin për drejtuesit e tyre, për personat e zgjedhur. Një vit përpara zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare, kjo thirrje shkon drejtpërdrejt me angazhimin për përzgjedhjen e personave që nesër do t’i përfaqësojnë.
Për fat të keq, dy javë më vonë, më shumë se sa shoqëria civile, reagoi politika. Kështu, dy reaguesit e parë, edhe pse nuk mund të kenë lidhje të drejtpërdrejtë me iniciativën e kryediplomatit amerikan në Tiranë, ishin Mark Marku nga PD-ja dhe Erjon Braçe nga PS-ja. Të dy deputetët aktualë e kanë vënë theksin te personaliteti që duhet të kenë të zgjedhurit për të përfaqësuar atë që pikërisht i sjell në Parlament. Kështu, Braçe i bëri thirrje direkt kreut të partisë së tij që të heqë dorë nga zgjedhja e kandidatëve përmes vendimeve personale apo të një grupi rreth tij, që japin idenë e një partie private, dhe të dëgjojë zërin e një rrethi më të gjerë njerëzish. Ndërkaq, Marku shprehu hapur idenë për atë që ai e cilëson ridimensionimin e së djathtës lidhur me idetë e saj, me synim riafirmimin e idealeve me të cilat PD-ja u themelua dhe erdhi në pushtet 20 vjet më parë. Dhe si një ish-student i asaj kohe, Marku përçoi zërin e një grupi që e mendon rizgjimin e vlerave të PD-së jashtë presioneve që vijnë nga zotërimi me çdo kusht i pushtetit, por nga mënyra se si duhen përçuar vlerat në shoqëri.
E në fakt, ajo çfarë kanë thënë publikisht Marku e Braçe janë thelbi i asaj që duhet të ketë reagimi qytetar, që të kërkojnë nga politika që t’i përfaqësojë, që të jetë zëri i tyre. Dhe qytetarët kanë kohën t’u kërkojnë llogari, të mbështesin vlerat, të propozojnë ata personat që mendojnë se kanë treguar se ç’të japin. Duke bërë këtë presion pozitiv, gjërat do të nisin rikuperimin më parë se sa të presim t’i vëmë në provë.
Në një vend ku për një pjesë të mirë të shoqërisë mbijetesa është në plan të parë, është vërtet e vështirë të flasësh për seleksionim vlerash. Por, një heshtje është fatale nga ata që kanë se ç’të bëjnë e ç’të thonë, por nuk ngenë zërin, sepse duan të mos vënë në rrezik jetën e tyre të qetë. Por, në fakt, gënjejnë veten, sepse nuk janë më të qetë, pasi e kanë humbur atë qetësi përfundimisht në momentin që kanë humbur edhe guximin.
… Arvizu dha një mesazh. Nga politika u dhanë shkëndija. Mbetet që qytetarët të mendojnë se nuk janë për të aprovuar, por për të kërkuar atë që duhet, si dhe të kontribuojnë që më së pari të kemi të zgjedhur që përfaqësojnë pikërisht interesin e tyre.
© Panorama.al












