Arvizu: Presidenti, me 84 vota që në raundin e parë

May 10, 2012 | 13:39
Ambasadori Aleksandër Arvizu

Ambasadori i SHBA takon Ramën: Kreun e shtetit nuk do ta zgjedhë një person i vetëm.

“Të zgjidhet në raundin e parë me ujdi dhe konsensus”

Pas takimit me ish-bashkëpunëtorin e tij, Ilir Meta, kreu i PS-së, Edi Rama, u takua dje për rreth 60 minuta në zyrën e tij me ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu.
Në përfundim të takimit, diplomati amerikan doli në një komunikim me mediat ku tha se gjatë bisedës u fol edhe për emra konkretë. Sipas tij, nuk do të jetë një person i vetëm në Shqipëri që të vendosë se kush do të jetë kreu i ardhshëm i vendit. “Mund t’ju tregoj se ky takim ishte 110 për qind rreth zgjedhjes së Presidentit. Unë jam i lumtur për marrëdhëniet që kam me zotin Rama dhe jemi në atë pikë ku mund të bashkëbisedojmë edhe për emra specifikë. Ishte një takim i hapur, ku në mënyrë parësore folëm për procesin që është parësor. Sigurisht, ne folëm për disa personalitete. Nuk është një person i vetëm në këtë vend që të vendosë se kush do të jetë Presidenti i ardhshëm. Disa thonë se do të jetë një ujdi politike. Për mua nuk ka rëndësi emërtimi, por duhet të ketë mbase konsensus. Duhet mirëkuptim, ku të jetë i përfshirë edhe zoti Berisha, zoti Rama, zoti Meta dhe të tjerë”, deklaroi Arvizu. Ai tha se forcat politike duhet të kenë objektiv kryesor zgjedhjen e Presidentit në raundin e parë. “Shpresoj se këta aktorë kryesorë do të marrin në konsideratë atë që dëgjojnë nga të tjerët. Sipas perspektivës së SHBA, me rëndësi është që ky person të përfaqësojë unitetin e popullit në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë. Emrat janë ata që ju dëgjoni gjithandej. Ne nuk u fokusuam në mënyrë ekskluzive apo në mënyrë parësore rreth emrave specifikë. Pati bashkëbisedim rreth një individi të caktuar, që është përballë një individi tjetër. Ne e dimë se çfarë thotë Kushtetuta. Më lejoni të jem i sinqertë. Objektivi i klasës politike duhet të jetë zgjedhja e Presidentit që në votimin e parë”, theksoi ambasadori. Nga selia e PS-së, diplomati amerikan foli për herë të parë edhe për rolin që do të ketë Presidenti i ri në zgjedhjen e kryeprokurorit. “Në terma praktikë ky person duhet të jetë garanti i institucioneve, pasi duhet ta thotë fort fjalën e tij kur të vijë koha e zgjedhjes se kush do të jetë kreu i ardhshëm i Prokurorisë apo shërbimit sekret, përfshirë emërimet për drejtuesit kryesorë të Gjyqësorit. Kjo në mënyrë absolute është me rëndësi për SHBA-të dhe jam i sigurt se po e tillë është edhe për BE-në dhe integrimin e Shqipërisë. Do të jetë e vështirë gjetja e një personi që përmbush këto kritere, prandaj edhe procesi është i rëndësishëm”, përfundoi Arvizu.

Holtkemper
Duke folur nga Gjirokastra për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit, ambasadorja e Gjermanisë, Carola Holtkemper Muller, tha se “Presidenti duhet të zgjidhet në përputhje me Kushtetutën dhe të jetë një figurë konsensuale. Do të nënvizoja se ka afate të përcaktuara dhe përgjegjësi të qarta. Kam parasysh zbatimin e planit të veprimit të hartuar nga vetë partitë ose klasa politike shqiptare. Dua të them që nuk është një plan veprimi i sugjeruar nga jashtë, por është për t’u zbatuar vetë plani shqiptar i veprimit. Mbeten afatet për t’u respektuar që do të vlerësohet edhe në një takim  në mes të majit, dhe siç ju thashë, mbetet ende e hapur nëse këto afate do të respektohen”.

Berisha: Për Presidentin flasim pas datës 22 maj
Kryeministri Sali Berisha ka komentuar dje nga mbledhja e qeverisë lëvizjet në jetën politike për kreun e ri të shtetit. Megjithëse përshëndeti atë që po ndodh, kreu i maxhorancës tha se personalisht me këtë çështje do të merret pasi të vijë nga Samiti i Çikagos, që mbahet më 20 dhe 21 maj. “Axhenda nuk më lejon mua të merrem me atë. E kam thënë që do të merrem pasi të kthehem nga Samiti i Çikagos dhe e kam shpjeguar si do të procedohet”, tha Berisha. “Unë e kuptoj që ju mendjen e keni te ethet presidenciale, por unë këtu jam në mbledhje qeverie dhe do të vazhdoj me rendin e ditës. Se kësaj radhe ato janë bërë shumë të forta. Kanë përfshirë edhe gazetarët. E keni marrë vesh? Edhe disa prej jush ndoshta, nuk e di a e keni moshën apo jo, por të tjerë po. Kanë zbritur edhe në nivele analistësh, gazetarësh. Po absolutisht vetëm i përshëndes, se nuk ka ëndërr më të bukur se ëndrra presidenciale në politikë”, tha Berisha.

Sot takimi Berisha-Nano
Kryeministri Sali Berisha dhe ish-rivali i tij politik, Fatos Nano, pritet të takohen sot në zyrën e Këshillit të Ministrave. Asnjëra nga palët nuk bën të ditur se në çfarë ore do të zhvillohet takimi, kjo edhe për shkak të axhendës që mund t’i ndryshojë Kryeministrit në varësi të punimeve të Parlamentit.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura