Arvizu: PD e PS të tregohen serioze me Kodin

Aug 23, 2011 | 10:24

Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu, deklaroi dje se partitë e mëdha duhet ta marrin me seriozitet një reformë elektorale në bazë të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it. Ai u shpreh se PD e PS duhet të tregohen serioze në hartimin e Kodit të ri Elektoral. “Raporti i OSBE/ODIHR-it ishte një raport tërësor, i plotë dhe objektiv. Themi herë pas here që infrastruktura ligjore në Shqipëri është e plotë dhe e mirë, por zbatimi i ligjit lë për të dëshiruar. Siç e bën të qartë raporti i OSBE/ODIHR-it, ka boshllëqe në Kodin Elektoral, i cili ka nevojë për t’u përmirësuar, sepse këto boshllëqe nuk kanë lejuar zbatimin më tej të tij. Dhe këtu duhet të jetë fokusi, sidomos i reformimit elektoral. Të gjitha energjitë dhe fokusi duhet të përqendrohen në hartimin e reformës zgjedhore. Të dyja palët duhet ta bëjnë këtë, duhet të tregohen serioze në lidhje me reformën, në të kundërt, nuk do të jetë e suksesshme”, tha Arvizu. Qëndrimi i ambasadorit u bë publik pasi dy kampet e mëdha politike e interpretuan raportin final të OSBE/ODIHR-it në dy këndvështrime të ndryshme. Sesioni i ri parlamentar pritet të sjellë zhvillime të reja në qarqet politike përsa i takon kërkesës së ndërtimit të ligjit të ri zgjedhor. Kjo pasi të dyja palët janë shprehur se duhet një ndryshim në Kod, ndonëse në propozimet paraprake ka ende ide të ndryshme për formulimet e reja të Kodit Zgjedhor. Deklaratat e ambasadorit Arvizu u bënë pas përfundimit të takimit që ai zhvilloi me ministrin e ri të Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi.

© Panorama.al

Te lidhura