Arvizu: Konsultime për Presidentin

Feb 9, 2012 | 11:05

Rama e Arvizu

Kreu i PS takon ambasadorin Arvizu në zyrën e tij. Diskutohet edhe për vizitën në SHBA

“Duhen njerëz me integritet për institucionet e pavarura”

Zgjedhja e kreut të ri të shtetit në muajin korrik është e lidhur edhe me zgjedhjen e Prokurorit të Përgji-thshëm dhe drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar. Kështu u shpreh dje, në një prononcim për mediat, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vendin tonë, Aleksandër Arvizu, në përfundim të një takimi me kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama. Paraditen e djeshme, zyrtari i lartë amerikan qëndroi për rreth 90 minuta kokë më kokë me liderin e opozitës, teksa në fund të takimit tha se kishte biseduar për një numër të madh çështjes.
Presidenti
Duke u ndalur në çështjen e zgjedhjes së Presidentit, ambasadori theksoi se palët duhet të konsultohen, dhe kjo është e rëndësishme si për SHBA-të, ashtu edhe për BE-në. Ai e lidh zgjedhjen e kreut të shtetit me votimin në Parlament edhe të dy zyrtarëve të tjerë të rëndësishëm, prokurorit të Përgjithshëm dhe kreut të SHISH-it. “E kam thënë edhe në të shkuarën, përpiqem t’i qëndroj larg termit president konsensual sepse ky term specifik nënkupton gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Por më pëlqen të përdor atë term që unë e kam përdorur më herët që ka të bëjë me konsultime aktive mes palëve kryesore të interesuara. Gjithashtu edhe për rolin e Presidentit që ai luan në përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve të pavarura, siç janë prokurori i Përgjithshëm apo kreu i Shërbimit Informativ Kombëtar. Prandaj është shumë e rëndësishme që të vendosen në këto pozicione kyçe njerëz me integritet në këto institucione shumë të rëndësishme. Për sa kohë që ne mund të flasim shumë gjatë për reformën në këto institucione, por kur nuk ka persona me këtë integritet, do të ishte qesharake që ne të flisnim për këtë reformë. Është koha për t’u larguar larg farsave dhe mund të ecim në rrugën e vërtetë të reformave për këtë vend, prandaj është e një rëndësie të veçantë zgjedhja e këtyre njerëzve në këto pozicione”, thekoi më tej ambasadori. Në të njëjtën kohë, në komunikimin me mediat, ai tha se kishte biseduar me Ramën edhe për çështje të tjera që kanë të bëjnë me 21 janarin, vizitat e tij në rajon dhe një udhëtim në të ardhmen në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Ne biseduam për shumë gjëra, si për sesionet që po zhvillohen në Parlament, që kanë të bëjnë me reformën zgjedhore, shqetësimet për papunësinë dhe situatën ekonomike në vend, për vizitat e tij në Preshevë, Maqedoni dhe Kosovë. Gjithashtu folëm edhe për një çështje që e kemi biseduar edhe më parë, e cila ka të bëjë me një vizitë të zotit Rama në SHBA, për të cilën folëm parimisht. E pyeta atë në lidhje me këndvështrimin e tij, që lidhen me zgjedhjen e Presidentit të ardhshëm. Folëm edhe për kursin e hetimeve të 21 janarit”, u shpreh më tej ambasadori. Në përfundim të takimit me zyrtarin e lartë amerikan në vendin tonë, kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, nuk doli para mediave, por zgjodhi një komunikim të shkurtër me anë të rrjetit social “Twitter”. “Rreth 90 minuta me ambasadorin Arvizu. Për papunësinë, reformën zgjedhore, sfidën e një Presidenti të të gjithë shqiptarëve e, pa dyshim, 21 janarin”, thuhet në faqen e tij zyrtare në Twitter.

© Panorama.al

Te lidhura