Arvizu,Imamit:Mbështetje e solidaritet nga SHBA

Feb 21, 2012 | 16:03

TIRANË- Mbështetje familjeve, dhimbje për humbjen, por solidaritet dhe krenari për punën që komandot shqiptare po bëjnë krah forcave të koalicionit në Afganistan.

Kështu është shprehur ambasadori i SHBA-së, ne vendin tonë, Aleksandër Arvizu gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami.

“Sot kemi emocione të përziera. E kemi zemrën të rënduar nga humbja e kapiten Voglit dhe plagosja e komando Pecit. Por jemi të mbushur me krenari të madhe për këtë luftë që ushtarakët shqiptarët po kryejnë me forcat e koalicionit në Afganistan. Ndonëse është një ngushëllim i vogël, pasi nuk e kthejmë dot Voglin në jetë, mendoj se krenohemi sadopak se në kohën që ka ndodhur ky incident jashtë Kandaharit, këto forca shqiptare kanë qenë në mision të përbashkët me forcat amerikane”- tha Arvizu.

Ai deklaroi se është takuar me familjet e tyre dhe qëkur është mësuar lajmi ka qenë në kontakt me ministrin, gjeneralin dhe kryeministrin.

“Në emër të SHBA ofrojmë mbështetjen tonë për familjet, por edhe për ata burra kurajozë që ushtrojnë misionin atje”- tha ai.

Ministri Imami deklaroi se ata luftuan me profesionalizëm te larte. “Kapiten Fetiu dha jetën si trim, ai ishte ushtarak i shkëlqyer karriere, ishte një model, ky është çmimi i shtrenjtë që populli paguan për lirinë dhe sigurinë e tij dhe paqen dhe sigurinë në botë. E garantova për vendosmërinë për të qëndruar përkrah në këtë aleancë të madhe në këtë betejë për vlerat më të larta njerëzore, lirinë dhe demokracinë në Afganistan”- tha Imami.

© Panorama.al

Te lidhura