
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksandër Arvizu, ka darkuar mbrëmë me ish-kryeministrin Fatos Nano, në një nga lokalet e zonës pranë stadiumit “Dinamo” në kryeqytet. Mësohet se takimi ishte parashikuar pak ditë më parë, por u shty për shkak të ngjarjes së rëndë që ndodhi në Afganistan me komandot shqiptarë. Në hyrje të restorantit “Pulëbardha”, ambasadorin e SHBA e kanë pritur Nano dhe bashkëshortja e tij, Xhoana, e cila mësohet se është dhe pronarja e restorantit. Takimi ka zgjatur mbi dy orë, ndërsa biseda mes politikanit dhe diplomatit mësohet të jetë përqendruar në zhvillimet politike në Shqipëri. Takimi vjen në një kohë që ish-kryeministri Nano ka shprehur ambicien e tij për kreun e shtetit, ndërkohë që ndërkombëtarët kanë kërkuar një President mbi palët. Vetë Aleksandër Arvizu, në një prononcim për mediat pak ditë më parë, është treguar i kujdesshëm sa i përket termit për zgjedhjen e Presidentit, duke mos përdorur termin “konsensual”, por duke kërkuar që ai të jetë proces i bisedimeve mes palëve. Lideri socialist Edi Rama deklaroi në një intervistë pak kohëve më parë se Nano është shkëputur nga Partia Socialiste pasi synon postin e kreut të ri të shtetit. Nga ana tjetër lideri historik i së majtës ka ulur tonet kohët e fundit me kreun e opozitës Rama, pas një sulmi thuajse 5 vjeçar ndaj tij, qëndrim ky i cili është vlerësuar si pozitiv nga socialisti Rama. Fatos Nano ka negociuar disa herë me kryeministrin Berisha për të zhbllokuar ngërcin politik në vend. Javët e fundit, Arvizu ka zhvilluar takime në lokale të ndryshme të kryeqytetit, me kryebashkiakun Lulzim Basha, kreun e opozitës, Edi Rama, deputetin e PS, Ben Blushi dhe Kastriot Islamin.











