Artistët zviceranë: Gjithçka përmbyset, flamuri mbetet

Jun 9, 2011 | 9:22
Një nga fotografitë e realizuara nga artistët Rudolf Steiner dhe Barbara Meyer Cesta

Paraditeve, në krye të rrugës “Karl Gega”, ca gra rome shesin çanta, ca më tutje këpucë të përdorura. Duke ecur më poshtë, ndonjë vetmitar kthen një gotë në ndonjë lokal buzë rruge.Më poshtë, njerëzit që kalojnë rrugës bëhen më të rrallë, derisa mbërrin tek një varg magazinash të vjetra, ku qetësia të shkakton një mbajtje fryme. Pikërisht atje, tre djem të diplomuar jashtë vendit Rubin Beqo, Andri Ibrahimaj dhe Klajdi Kruja kanë hapur një qendër arti të quajtur “Tirana Ekspres”. Një qendër multifunksionale, ku të gjithë të rinjtë që dëshirojnë mund të zhvillojnë apo ekspozojnë projektet e tyre artistike, në arte pamore, muzikë etj. Sigurisht, ajo nuk ngjan me galeritë e tjera, nuk është e shtruar me parket dhe nuk ka mure të patinuara, por është një hapësirë, e cila ka munguar deri më sot në Tiranë. “Me rritjen e urbanizimit, problemi i hapësirave bëhet gjithnjë e më i vështirë. Të gjitha ato mundësi që ne kishim dikur për t’u mbledhur, si shtëpia e pionierit apo qendra të tjera, nuk janë më ose janë privatizuar. Këto janë dinamikat e kapitalizmit, që kanë marrë udhën dhe priteshin. Hapja e qendrave të tilla është një tendencë që vihet re edhe në vende të tjera, ku rinia mundohet të lëvizë në hapësira pak më suburbane, ku ka akoma hapësira me karakter industrial në dispozicion dhe ku, normalisht me tendencat e reja në art, e rëndësishme bëhet përmbajtja, dhe jo vetëm forma”, thotë Rubini.
EKSPOZITA

Qendra “Tirana Ekspres”

“Tirana Ekspres” do të përurohet zyrtarisht në 15 qershor, por ata tashmë e kanë bërë një prezantim të parë me ekspozitën “PIPIFAX FOR TIRANA / Përtej pasqyrës dhe çfarë gjetëm aty”. Është paraqitja e fotografive me format të madh të realizuara nga dy artistët zviceranë Rudolf Steiner dhe Barbara Meyer Cesta, si pjesë e projektit “Artistë në Rezidencë” të Tirana Art Lab – Qendër e Artit Bashkëkohor. Janë fotografi të realizuara kryesisht në qendër të Tiranës e për “të zotët e shtëpisë”, një ekspozitë që sjell qendrën në periferi, ishte një kontrast i bukur. Në pamje të parë, fotografitë e dy zviceranëve duken fare normale: Monumenti i Skënderbeut, Piramida, stadiumi “Qemal Stafa”… të bie në sy që në secilën prej tyre është i pranishëm flamuri kuq e zi. Por, kur qasesh dhe zbulon detaje të fotografive, sheh se Skënderbeu sheh nga bulevardi, dhe jo nga sheshi, se në sfond të Piramidës, në vend të ndërtesës së Kryeministrisë, është katedralja e Shën Palit apo kulla e re, e cila në fakt duhet të ishte në të kundërt. Artistët i kanë kthyer pamjet së prapthi dhe e vetmja gjë që nuk ndryshon është flamuri shqiptar. Në epokën e globalizimit, por edhe në periudhën e gjatë të tranzicionit shqiptar, shumë gjëra ndryshuan, që nga sistemet, mënyra e jetesës, politika ndryshon çdo ditë. Çka është majtas, shkon djathtas dhe anasjelltas dhe nuk është aspak e çuditshme që në mëngjes t’i gjesh gjërat ndryshe nga ç’i le një natë më parë. Megjithatë, identiteti mbetet. Si shenjë e këtij identiteti artistët kanë zgjedhur flamurin, një simbol shumë i shtrenjtë për shqiptarët. Të paktën vetëm ai nuk është gllabëruar apo nuk duhet të gllabërohet nga ndryshimet e shpejta dhe përmbysja e vlerave.

 

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura