Në Muzeun e qytetërimit romak 17 shqiptarë
Përshtatja në dhe të huaj dhe e pavarësisë në art, konceptuar nga Xhovalin Delia
Edhe në kulmin e izolimit, ata e gjenin mënyrën për të qenë të lirë, të pavarur. Jo sepse edhe atyre nuk u kishin muret veshë, porse ndryshe nga gjithë të tjerët kishin një tjetër gjuhë. Ata ishin të bekuar me gjuhën e artit. Mjafton një valixhe, mbushur me ëndrra, shumë talent, por edhe fat, për t’u ndier qytetar i gjithë botës. Në një vit jubile si ky i sivjetshmi, pavarësia është kryefjala në gjithçka. Janë 100 vjet shtet i pavarur. Nga ai akt politik i 100 viteve më parë do të varej fati i një shteti, i një kombi. Por kur vjen fjala tek arti, varësia dhe pavarësia fitojnë të tjera nuanca. Pikërisht për këtë koncept artistik të pavarësisë flet edhe ekspozita e hapur këto ditë në Romë, e cila do të qëndrojë e hapur deri në datën 3 mars. Janë 17 artistë shqiptarë, nga ata që i përkasin komunitetit të artistëve emigrantë, por edhe nga ata që vazhdojnë të zhvillojnë karrierën e tyre në Shqipëri, të cilët përkujtojnë me mënyrën e tyre 100-vjetorin e pavarësisë. Kuratori Xhovalin Delia, piktor, regjisor dhe shkrimtar, i cili prej 20 vitesh jeton dhe e zhvillon karrierën e tij artistike në Firence të Italisë, e ka konceptuar jo si një ekspozitë me karakter patriotik. Nuk ka portrete figurash historike apo flamuj kombëtarë, por si një dëshmi e raportit mes individuales dhe universales, mes globales dhe lokales. Përmes kësaj ekspozite ai ofron përpara publikut perëndimor eksperienca të jetuara dhe tenton t’u japë përgjigje shumë çështjeve, si asaj të përshtatjes në një vend të huaj, duke mos e bjerrë identitetin dhe origjinalitetin, i të qenët si të gjithë, por sërish i ndryshëm. “Orientimi artistik nuk është kufizuar vetëm në pavarësinë kombëtare si eveniment të vendit nga ku vijmë, ku kemi lindur e jemi rritur, por edhe integrimi e bashkëjetesa qytetare në vendin ku ne vazhdojmë të rritemi e të prosperojmë e fëmijët tanë kanë lindur e po formohen. Natyrisht që është zëri i tokës mëmë ai që na ka thërritur e frymëzuar për këtë performancë artistike, kushtuar pikërisht pavarësisë së kombit tonë, por ajo që na shtyn përtej, që na afron me një dimension jo lehtë të paperceptueshëm, madje të padukshëm e njëkohësisht të pranishëm fizikisht, është bash vartësia, jo ajo kombëtare, e as ndërkombëtare, por ajo globale universale”, thotë Delia.
Ekspozita
Si për të treguar këtë bashkëjetesë planetare, siç e quan kuratori, ekspozita “Pavarësi kombëtare & varësi universale” është hapur pikërisht në Muzeun e qytetërimit romak (Museo della civiltà romana). Në qendër të muzeut, ku më shumë se kudo tjetër flitet për një kulturë të lashtë dhe një nga perandoritë më të mëdha në historinë e njerëzimit, një grup artistësh shqiptarë përçojnë kulturën që kanë marrë me vete nga vendi i origjinës e që rrjedh në dejtë e tyre, miksuar me kulturën e vendit pritës. “Bash universalja, është energjia që na jep krahë e mundëson fluturimin në hapësirën e lirë, përtej kufijve shtetërorë e kombëtarë, atje ku çdo qenie e lirë ka të drejtë natyrale të jetojë e prosperojë, natyrisht “con il permesso di soggiorno” (me leje qëndrimi). Pavarësia e një elementi, e një njeriu o e një kombi nuk është gjë tjetër veçse bashkëveprimi i tyre, varësia, bindja e nënshtrimi ndaj harmonisë universale. Bash nxënia e perceptimi i kësaj mrekullie reale na bënë të ndihemi të lirë e të pavarur, madje me krahë ne emigrantët “e pa atdhe”, ose më saktë “qytetarë të botës””, vazhdon Delia, teksa shton se nuk është thjesht detyra e një emigranti, por edhe e çdo artisti në përgjithësi që të luajë pjesën e tij në orkestrën e madhe universale dhe, sa më shumë të ndërgjegjësohet për këtë, aq më i pavarur dhe harmonik do të jetë në kaosin njerëzor që kërcënon çdo ditë. Përmes mediumesh të ndryshme, si pikturë, video, instilacion, artistët Anila Shapalaku, Albert Dedja, Agim Hajzëri, Anila N. Zajmi, Alban Berberi, Alfred Mirashi (Milot), Agim Sulaj, Armand Xhomo, Anila Zajmi-Katanolli, Parlind Prelashi, Frederik Ivanaj, Gëzim Mehmeti, Xhovalin Delia, si dhe studentët Anxhela Hoxhalli, Lori Lako dhe Orenada Dhimitri, ofrojnë partiturën e tyre shqiptare në koncertin e artit bashkëkohor, duke treguar se në Itali ata nuk janë thjesht të ardhurit nga “vendi përballë” (“paese di fronte”). Hapja e kësaj ekspozite në një nga sallat më prestigjioze të ekspozimit në Romë u mundësua nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Itali, Bashkia e Romës, Këshilli qytetar për emigracionin etj.
ALMA MILE
© Panorama.al











