
Deputetja e PS komenton lëvizjen e ish-kryetarit.
“Përpjekjet e PS për të bashkëpunuar me LSI për Presidentit rezultuan të dështuara”
Anëtarja e Kryesisë socialiste, Arta Dade, e cilëson të sforcuar Lëvizjen Nano, por të mirëpritur nëse kërkon bashkimin e së majtës apo dhe për të korrigjuar ndonjë defekt brenda PS.
Duke folur për zhvillimet në FRESSH, Dade kërkon që të rinjtë të lihen të lirë të zgjidhin problematikat e veta pa imponime dhe të marrin vlerësime përmes një gare të hapur dhe të ndershme.
Presidenti i PE, Martin Shultz, është shprehur se zgjedhja e Presidentit është konsideruar si një shans i humbur për politikën shqiptare. Mendoni se PS i shfrytëzoi të gjitha mundësitë për të arritur në një President konsensual, i cili më shumë se emri, do të plotësonte një kriter të munguar deri tani në politikën shqiptare?
Unë besoj se PS u tregua konsistente në vizionin dhe qëndrimin e saj që prej fillimit. Fakti që ne kërkuam një President konsensual jo në dobi të Partisë Socialiste, por në dobi të Shqipërisë dhe të axhendës europiane të saj, madje edhe në përputhje me sugjerimet e partnerëve ndërkombëtarë, ishte pikërisht këmbëngulja që Shqipëria të kishte një President konsensual. Për fat të keq, Sali Berisha insistoi përtej deklaratave të tij publike dhe lojës të paprincipë që bëri dhe me emrat që hodhi në publik, dhe i ofroi si të mundshëm për konsensus. Siç dëgjuam dhe nga aktorë të kësaj maxhorance, ata ishin emra që u hodhën për t’u diskredituar publikisht, dhe unë shpreh keqardhje të thellë për mungesën e seriozitetit nga ana e Kryeministrit, por dhe e koalicionit qeveritar lidhur dhe me praktikën që u ndoq për zgjedhjen e Presidentit. Megjithatë, PS e konsideron kapitull të mbyllur zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Kemi një President të zgjedhur vetëm nga maxhoranca qeverisëse. Më lejoni të bëj këtu konstatimin tim se përpjekjet e PS për të bashkëpunuar edhe me LSI për Presidentin, rezultuan të dështuara, sepse ajo u kthye në llogoren e saj të bashkëpunimit me Sali Berishën. Unë uroj që Presidenti t’i kapërcejë me sukses sfidat që ka për 2012-n; e kam fjalën për analizën dhe momentin e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm, por dhe një sërë çështjesh të tjera që kërkojnë zgjidhje, siç janë anëtarët e Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, ku Presidenti ka një rol shumë të rëndësishëm. Unë uroj që Presidenti i zgjedhur tashmë të zbatojë Kushtetutën dhe të mos kthehet në një instrument të Sali Berishës për të arritur qëllimet e veta apo dhe të ndonjë force tjetër të koalicionit që mund të aspirojë për të përmbyllur një sërë çështjesh që vazhdojnë të jenë të pambyllura.
Ju i konsideruat të dështuara negociatat me LSI për Presidentin. Mendoni se ka ende hapësira bashkëpunimi me këtë forcë politike për zgjedhjet e 2013-s?
Sigurisht, LSI humbi një shans për të bashkëpunuar me Partinë Socialiste. Është një kërkesë që jo publikisht erdhi dhe nga ana e partive socialiste europiane dhe, për fat të keq, ajo e humbi këtë shans. Nëse do të ketë dëshirë që ajo të bashkëpunojë me PS apo dhe me forcat e tjera opozitare, sigurisht, do të duhet të shkëputet nga koalicioni qeverisës, sepse duke qenë një forcë qeverisëse, ajo menaxhon afërsisht 40% të pushtetit. Rasti më flagrant është ai i ndryshimit të ministrave, dhe ka shkuar drejt përkeqësimit të performancës qeverisëse, kur dhe një zooteknik apo veteriner bëhet ministër i Jashtëm, pa pasur asnjë ditë përvojë diplomatike, kur Shqipëria ka përpara sfida të rëndësishme, siç është rasti i progres-raportit apo dhe Presidenca e Këshillit të Europës nga ana e Shqipërisë, ku roli i ministrit të Jashtëm duhet të jetë i spikatur në këtë Presidencë.
Kemi brenda PS një lëvizje të ish-kryetarit socialist, Fatos Nano, në përpjekje për një bashkim të së majtës, por dhe për të korrigjuar disa defekte dhe mangësi në drejtimin e PS. Si e vlerësoni këtë lëvizje të zotit Nano?
Lëvizja e zotit Nano, sipas mendimit tim, duket e sforcuar, por çdokush që do të punonte për bashkimin e së majtës opozitare do të ishte i mirëpritur, pa dyshim, brenda normave dhe parimeve që çdokush e ka seriozisht dhe ka dhe përgjegjshmërinë për ta bashkuar të majtën. Unë besoj se e majta opozitare nuk ka ndonjë problem aktualisht edhe për faktin se është një koalicion opozitar që ka funksionuar, përtej kritikave që kanë ardhur lidhur me angazhimin e PS në reformën zgjedhore. Besoj se ka një spekulim në këtë pikë, sepse PS e ka shpalosur qëndrimin e saj që jemi për korrigjimin e sistemit zgjedhor, qëndrim që u shpreh dhe nga kryetari Rama. Unë besoj se çdo angazhim serioz dhe konstant për të korrigjuar edhe ndonjë defekt në punën tonë të përditshme, pa dyshim që është i mirëpritur, sepse PS, që nga themelimi i saj, është një forcë që është vetëkorrigjuar, është vetëreformuar, është vetëstrukturuar për t’u përgatitur për çdo sfidë që ka pasur përpara.
Ju thatë se PS mbetet një parti që debaton dhe diskuton vazhdimisht. Patëm pak ditë më parë një debat në radhët e FRESSH-it, madje dhe akuza për manipulime të listave të anëtarëve të Asamblesë së tyre Kombëtare. Nga shumë zëra në PS ky debat është cilësuar si investim i tepruar nga lidershipi i PS për të kontrolluar këtë forum. Si e vlerësoni ju këtë?
Unë jam e kënaqur që nga një version i parë për të gjithë procesin deri në zgjedhjen e strukturave drejtuese të FRESSH-it, pati një modifikim edhe me miratimin e anëtarëve të Kryesisë që e kundërshtuan modelin e parë, i cili dukej i vështirë për t’u realizuar kur puna kishte nisur dhe s’mund të ndryshonin rregullat e lojës në fund. Nuk e kam ndjekur këtë proces, por ndoqa kongresin e FRESSH-it, të cilin e vlerësoj dhe besoj se ishte një shans që iu dha edhe kandidatëve të tjerë që aspironin drejtimin e këtij forumi, përtej faktit që nuk iu mungonte përvoja për të drejtuar një organizatë të fuqishme siç është FRESSH. Unë besoj se kongresi dhe procedurat e bëjnë përsëri PS një parti me demokraci të brendshme të zhvilluar. Nuk jam në dijeni institucionalisht nëse ka pasur probleme me listat apo nëse ka pasur momente apo tentativa manipulimi, por di që ka pasur lobim të fuqishëm dhe besoj se lobimi është një element demokratik, për sa kohë që bëhet brenda normave demokratike. Unë jam e kënaqur që Elisa Spiropali është në krye të Forumit Rinor. Ajo u ngarkua para dy vjetësh që ta ristrukturonte këtë forum, e vlerësoj punën që ka bërë, është një vajzë me vizion të qartë se si duhet të funksionojë struktura e FRESSH-it dhe gjykoj se puna e saj u vlerësua nga delegatët që e zgjodhën. Uroj që të ketë një bashkëpunim optimal mes të gjithë kandidatëve që e kanë shprehur gatishmërinë që të bashkëpunojnë me Elisën. Edhe si një organizëm vetëveprues brenda PS, unë uroj që FRESSH-in duhet ta lënë t’i zgjidhë vetë problemet e veta dhe ne jemi këtu për t’i ndihmuar me përvojën tonë pozitive që ky forum të luajë rolin që i takon në zgjedhjet parlamentare të 2013-s. Unë besoj që të rinjtë nuk duhet zhgënjyer, por duhen inkurajuar me të gjitha normat demokratike në zbatim të statutit, që përmes një gare demokratike të miratohen në kongres. Unë them që këtu nuk ka ndonjë risi. Kjo është një procedurë e vendosur, e konsoliduar tashmë që pas debateve, madje dhe të ashpra, përmes një votimi normal dhe demokratik. Të gjithë janë të lutur që të respektojnë të gjitha procedurat që përcaktohen përmes një votimi demokratik, dhe sigurisht, liderët kanë rolin e tyre në një moment të caktuar, ku pa dyshim, mosha bën të vetën dhe liderët ndryshohen dhe u lihet stafeta pasardhësve.
Në disa komente të tij, nënkryetari i Grupit Parlamentar, Erjon Braçe, ka kërkuar që deputetët të mos seleksionohen nga kryetari apo vetëm nga një grup i vogël njerëzish, por përmes përzgjedhjes nga anëtarësia të bëhet analiza e punës së deputetëve. Është momenti që PS të sjellë një risi në këtë drejtim?
Partia Socialiste gjithmonë procedurat për zgjedhjet e kandidaturave i ka pasur ndryshe nga çdo forcë tjetër politike. Unë kujtoj këtu procedurat e 2009-s, kur morëm mendime dhe nga baza e partisë për emrat që ata mendonin që të ishin në listë. Se sa është realizuar kjo në listat përfundimtare, unë nuk jam në gjendje të them, por përgjithësisht është realizuar. Sigurisht që ka pasur edhe ndonjë arbitraritet, siç është rasti i Musa Ulqinit apo Rajmonda Stefës, për të cilët unë e kam dhënë mendimin se duhet të ishin përfshirë në listat e 2009-s edhe për faktin se ishin vetëm 4 gra nga grupi ekzistues dhe s’kishte asnjë arsye që Monda Stefa të mos përfshihej në atë listë. Unë uroj që të kemi përsëri një procedurë demokratike, duke marrë pëlqimin e bazës së partisë. Por dua të theksoj këtu që ka pasur dhe mungesë përgjegjshmërie në propozimin e disa emrave që u përfshinë në listë pa asnjë kontribut. Në hartimin e listës duhet bërë kujdes që të vlerësohet dhe numri i specialistëve që do të përfaqësojnë PS në komisionet parlamentare. Procedura duhet të fillojë te baza e partisë dhe me kritere të përcaktuara fikse, se si duhet të jetë grupi socialist që do të dalë nga zgjedhjet e 2013-s. Në përfundim duhet t’u japim shqiptarëve atë që ata presin nga PS.
Mund të konsiderohet lista e deputetëve si lista e kryetarit?
Nuk besoj se është kështu. Kryetari ka rolin e vet, drejtimi i partisë duhet të jetë kolegjial, sfidat janë shumë të vështira, dhe kjo kërkon që listat e deputetëve duhet të jetë të menduara mirë e të konsultuara mirë.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











