Debati në lidhje me të ashtuquajturin skandali “Bossi” dhe diplomën e tij me pagesë të marrë nga një universitet shqiptar, i ngjan historisë së përrallave të Andersenit me fëmijën që thirri në naivitet se “mbreti ishte lakuriq”, ndërkohë që të gjithë e dinin një fakt të tillë. Megjithatë, debati i ditëve të fundit kryesisht është fokusuar te kryqëzimi i Ministrisë së Arsimit (dhe mirë bëjnë), për moseficiencën e mbikëqyrjes së një procesi të tillë kaq delikat në këtë sektor, si dhe me institucionet e arsimit të lartë privat (dhe mirë bëjnë), të cilat fabrikojnë “gjeni” të tillë pa i parë dyert e universitetit qoftë edhe një ditë. Paradoksalisht të paktë janë ata që arrijnë të jenë më analitikë dhe të shikojnë përtej fasadës që nuk është vetëm faji i Ministrisë që s’e kontrollon dot sistemin dhe nuk është faji vetëm i disa universiteteve private, pasi ka plot edhe universitete publike që bëjnë “pehlivanllëqe” të tilla, siç ka edhe universitete private që janë relativisht serioze krahasuar me situatën mizerje të arsimit të lartë në Shqipëri.
Pavarësisht këtyre problemeve të mprehta, përsëri autori i këtyre radhëve që e njeh sistemin edhe nga brenda, gjykon se situata e arsimit të lartë në Shqipëri e ka marrë rrokopujën për shkaqe shumë herë më madhore se këto. Të kuptohemi, jo se dhënia e një diplome me para nuk është problem, por ky është ndër problemet relativisht më kollaj të kontrollueshme, gjithmonë duke marrë të mirëqenë faktin e vullnetit për ta kontrolluar këtë proces. Në këtë këndvështrim, nëse tentojmë të gjejmë “fajtorët” realë të situatës alarmante të arsimit të lartë në Shqipëri, personalisht gjykoj se janë tri grupime kryesore.
I pari është shteti (kupto politika). Është fajtor shteti sepse pavarësisht retorikës së bukur politike dhe shpenzimeve pa fre publike në çështje shumë më pak jetike për vendin, mbështetja e tij financiare ndaj arsimit të lartë është krejt shumë poshtë nivelit mesatar të vendeve të OECD-së. Është fajtor shteti për shkak të një kontrolli totalisht të vakët të procesit, sepse, në logjikën e radhës së gjërave i bën hapat së prapthi. Fjala bie, ende pa krijuar mekanizmat e nevojshëm monitorues të sektorit të arsimit të lartë publik, e liberalizoi atë dhe sot ndihet i pafuqishëm për të futur sërish në shina. Do të shohim që do të jetë vetëm mbështetja dhe presioni i operatorëve seriozë, të cilët do të mundësojnë diferencimin e shapit nga sheqeri, por kjo nuk ndodh në periudhë të shkurtër e, për rrjedhojë, dëmet e një politike të gabuar do të jenë të mëdha deri atëherë. Është fajtor shteti sepse prodhon ligje dhe rregulla vështirësisht të aplikueshme (jo pak herë copy-paste), duke krijuar shumë probleme. Fjala bie, detyrimi që të imponon ligji i arsimit të lartë që të gjithë studentët e nivelit të parë (bachelor), duhet të mbrojnë një punim diplome, në vend që të rrisë cilësinë, ka nxitur dhe zhvilluar në mënyrë të frikshme plagjiaturën. Të pamundur për të kryer një punim akademik (për shkak të aftësive të ndryshme akademike), studentët e dobët i drejtohen tregut të diplomave të gatshme duke i marrë “borxh” një diplomë dikujt që e ka mbrojtur në universitetin X dhe prezantuar si të tijën në universitetin Y. E kështu, sikur të hapeshin “dosjet” e të gjitha universiteteve pa përjashtim, do të na rezultonin të njëjtat diploma të mbrojtura disa herë në shumë universitete. Fenomen ky i vështirë për t’u monitoruar nga vetë universitetet (me gjithë vullnetin e mirë që mund të kenë), pasi nuk ke një bazë kombëtare të dhënash që t’i referohesh për të kontrolluar plagjiaturën, siç ndodh në botën e zhvilluar.
Një fajtor i dytë për gjendjen e mjerueshme të arsimit të lartë është profesorati akademik aktual (natyrisht jo i gjithi, por një pjesë e mirë e tij). Është fajtor për shkak të nivelit sa vjen e në ulje të integritetit të masësivitetit të kësaj shtrese. Hyrja në këtë grupim tashmë nuk njeh kritere dhe parime, çka ka ndikuar jashtë mase negativisht në drejtim të uljes së cilësisë së mësimdhënies. Ndërkohë, sikur të mos mjaftonte kjo, qëllimi i dytë i ekzistencës së profesoratit akademik, procesi i kërkim-zhvillimit, në rastin më të mirë nuk ekziston në nivel simbolik, ndërsa në rastin më të keq është një plagjiaturë meskine shumë herë me e keqe se ajo e studentëve të cituar më lart. Kështu, të gjithë e dimë, por asnjë nuk flet kurrë për pseudo-profesorë të “nderuar” në shoqëri, të cilët në vend që të vënë në punë dijet e tyre, përkthejnë (në disa raste shumë keq), literatura ndërkombëtare, dhe në kapakun e librave vënë emrin e tyre. Ose është tashmë në modë fenomeni i famshëm i përgatitjes së analizave studimore (research papers) me 3-4 autorë, nga të cilët vetëm njëri prej tyre është autori real, kurse të tjerëve u është bërë “qoka” duke u vënë emrin se u duhet për efekt të marrjes së gradës “Doktor” apo “Profesor”. Nëse do të kishte gazetarë investigativë, të cilët të bënin një hulumtim me profesoratin akademik që ka botuar edhe në revista të huaja shkencore, do t’i rezultonte që një pjesë jo e vogël e tyre dinë anglisht aq sa për të blerë një shishe ujë jashtë vendit, por kurrsesi për të shkruar një material studimor. Është fajtor profesorati për komercializimin e vlerësimit akademik. Tashmë historitë me qindra euro të paguara për të marrë një provim apo me mijëra euro për t’u ndihmuar në përgatitjen dhe mbrojtjen para komisionit të një diplome, nuk janë legjenda urbane, por realitet i hidhur, të cilin e sheh kushdo që tenton të hedhë sytë përtej hundës së tij. Dhe e fundit, ajo çka është më e rëndësishmja, është fajtor profesorati akademik shqiptar sepse, ndryshe nga misioni që ka në një shoqëri të zhvilluar për të vënë dijen e tij në funksion të zhvillimit ekonomik e shoqëror të vendit me studime, konferenca, qasje, pozicionime apo dalje mediatike duke tentuar të përmirësojë qeverisjen, pjesa më e madhe e profesoratit tonë jo vetëm s’e bëjnë këtë gjë, por janë anonimë e nuk i njeh njeri përveç studentëve në leksione e seminare.
Një fajtor i tretë për realitetin e pakëndshëm të arsimit të lartë në Shqipëri është edhe shoqëria e kalbur në vlera. Dhe që të bëj lidhjen me arsimin e lartë, e kam fjalën pikërisht për presionin e të gjitha formave (kryesisht psikologjik) që bën shoqëria, familja, fisi, të njohurit, miqtë, lagja e kështu me radhë për vlerësimin e pamerituar në arsimin e lartë (dhe jo vetëm). Edhe pse e dëgjojmë dendur shprehjen banale “Shqipëria nuk bëhet me shqiptarë”, përsëri janë pikërisht këta njerëz që janë më kërkuesit, që bëjnë presion mbi ata njerëz që ende rezistojnë në profesoratin akademik për të ruajtur integritetin, për të vlerësuar në mënyrë korrekte. Janë të gjithë këta “Mohikanë të fundit” në sistem (fatkeqësisht specie në zhdukje), të cilët kanë zemëruar gjysmën e fisit apo nuk flasin me gjysmën e miqve të tyre në rastin më të mirë, apo kanë pasur probleme reale më të mëdha me vendin e punës, apo deri edhe kanosje në rastin më të keq, pikërisht se kanë rezistuar për të bërë punën e tyre me integritet. Ajo çka është paradoksale në këtë situatë është fakti që edhe pse puna e tyre me integritet i sjell një eksternalitet pozitiv shoqërisë, kostot e larta për shkak të integritetit i kanë totalisht personale dhe i vuajnë vetëm ata, pikërisht për shkak të kësaj shoqërie të kalbur në vlera. ku është i zoti ai që vjedh, është i zoti ai që ia hedh sistemit, ai që manipulon e ai që ngjitet në majë të piramidës pikërisht për këto arsye.
Prandaj gjykoj që problematika e gjendjes së mjerueshme të arsimit të lartë në Shqipëri është shumë herë më e gjerë dhe më gjithëpërfshirëse se sa një fenomen kaq banal (por jo pak i përhapur) si ai i Renzo Bossit. Parë në këtë këndvështrim, nëse nuk synohet të ndërhyhet në substancë për parandalimin e këtyre fenomeneve, nuk është çudi që pas një dekade, në Shqipëri do të bëhen në modë dorëheqjet e zyrtarëve të lartë (siç ndodh ndonjë në të rrallë në Europë), për plagjiatura diplomash apo falsifikime rezultatesh, apo më keq akoma, diploma false.
© Panorama.al












