Arsimi, Berisha: Vendorët të japin toka për privatët

Jul 19, 2012 | 14:10

Kryeministri Berisha është renditur dje qartë në përkrahje të arsimit privat në Shqipëri. Në mbledhjen e Komitetit të Planifikimit të Strategjive, kreu i qeverisë kërkoi nga pushteti vendor të ndihmojë me asete dhe prona zhvillimin e arsimit privat në vend. “Në mbledhjen e qeverisë kam kërkuar dhe i ftoj qeveritarët vendorë të ofrojnë tokë për shkollë. Ky projekt e ky program është zbatuar nga vendi më i pasur i botës. Arsimi, si problemi më serioz i çdo kombi, kërkon garë, financim e mobilizim fondesh”. Berisha, duke u ndalur në zhvillimin e sektorit, theksoi se është konkurrenca ajo që si në çdo sektor, edhe në arsim, do të ndihmojë në kapjen e standardeve sa më të larta. “Sot, arsimi privat ka një histori të shkurtër në Shqipëri, vetëm dhjetëvjeçare. Natyrisht, arsimi publik, me një histori të gjatë dekadash, është e do të mbetet lider, por asgjë nuk e nxit më shumë konkurrencën, se sa zhvillimi i arsimit privat”. Kreu i qeverisë e zhvilloi më tej idenë e tij për përkrahjen e shtetit për arsimin privat, duke nënvizuar se “nuk do të ketë asnjë tërheqje nga politika e inkurajimit të sektorit privat. Për ta bërë më të qartë konkurrencën mes sektorit publik dhe atij privat në arsim, Berisha nënvizoi kapacitetet e larta dhe stafet e huaja, si prurje e privatëve. “Nga institucionet arsimore private ka prej tyre që kanë një staf kombëtar e ndërkombëtar të shkëlqyer, ka një bashkëpunim ndërkombëtar ndër më seriozët, e zhvillojnë mësimin në anglisht, e cila sot është latinishtja e dikurshme”. Më tej, kreu i qeverisë bëri edhe dallimin mes atyre që studiojnë me literaturën dhe pedagogët më të mirë të kohës dhe arsimit tjetër, atij që bëhet me shënimet e pedagogëve vendas. “Ka një dallim midis studentit që mëson me tekstet më të mira të botës anglosaksone dhe një studenti tjetër që ulet me defterët e leksionet e pedagogut të tij. Ndryshimi është i madh. Një tekst serioz botëror është kuintesenca e zhvillimit të shkencës. E kam theksuar dhe e theksoj sërish, Linus Pauling, dy herë nobelist, një herë për strukturën e proteinës. Në tekstin e tij thuhet se është për nxënësit e gjimnazeve, për studentët e universiteteve, pedagogëve të kimisë, dhe kjo sepse ky gjeni kishte arritur vërtet të bënte në tekstin e tij përkufizimet më të qarta, më të palëkundura. Imagjinoni një student që mësonte me tekstin e Pauling-ut dhe një student që mëson kiminë me tekstin e një anonimi. Dy botë! Ndaj shpresoj që konkurrenca të funksionojë, t’i nxitë të dy këta sektorë në sistemin arsimor, që është edhe detyra më kryesore e çdo qeverie”.

Tavo: 19% e fëmijëve, prapambetje në rritje

Vangjel Tavo

Rreth 19% e fëmijëve nën 5 vjeç në vendin tonë kanë prapambetje në rritje për shkak të kequshqyerjes. Ministri i Shëndetësisë, Vangjel Tavo, tha dje se situata paraqitet më problematike në  zonat malore (28%) dhe në fëmijët e familjeve të varfra. “Vetëm 39% e fëmijëve ushqehen me gji deri në muajin e gjashtë të jetës. Aktualisht, vetëm një e treta e fëmijëve ushqehen në bazë të praktikave të rekomanduara të ushqyerjes”, tha Tavo. Për të sensibilizuar nënat, në ushqyerjen shëndetshëm të fëmijëve ministri i Shëndetësisë lançoi konkursin “10 nënat më të mira të vitit”. Kjo garë është pjesë e fushatës ndërgjegjësuese rreth “Mënyrave të reja dhe më të mira të ushqyerjes së foshnjës dhe fëmijës”.
“Të gjitha nënat që dëshirojnë të marrin pjesë në të, duhet t’u përgjigjen disa pyetjeve të parashtruara në një formular, bazuar në eksperiencën personale të ushqyerjes së fëmijëve. Konkursi është i hapur për publikun deri në fund të muajit tetor dhe më pas juria do të shpallë 10 nënat fituese”, tha Tavo.
Qeveria shqiptare në partneritet me Kombet e Bashkuara dhe me një financim nga Fondi Spanjoll i Arritjes së Objektivave për Zhvillimin e Mijëvjeçarit për Fëmijët, Ushqyerjen dhe Sigurinë e Ushqimit, që prej 2009-s po zbatojnë programin e përbashkët “Për reduktimin e kequshqyerjes mes fëmijëve shqiptarë”.

“Reforma e pensioneve, PS të votojë sistemin e ri”
Reforma në pensione, e hartuar nën asistencën e Bankës Botërore, është sjellë edhe një herë në vëmendje nga Kryeministri Sali Berisha dje, gjatë takimit të Komitetit të Planifikimit të Strategjive. Ai vlerësoi se është e rëndësishme që në këtë reformim të skemës të marrë pjesë edhe opozita, jo për shkak të votës, por për të garantuar qëndrueshmëri në kohë. “Banka Botërore ka përgatitur me kohë një nga platformat më të mira. Mirëpo opozita e pranon atë privatisht dhe e refuzon publikisht. Ky nuk është një ligj që kërkon për miratim tre të pestat në Parlament, por, duke pasur parasysh se është një sistem që vendoset së paku për 30-40 vitet që vijnë, është mirë që ai të ketë mirëkuptimin e të dy krahëve të politikës”, tha Berisha. Ai vlerësoi se sistemi aktual i vendosur 20 vite më parë ka nevojë për të marrë një formë tjetër, që garanton qëndrueshmëri. Reforma në pensione filloi pas alarmit të Bankës Botërore se skema aktuale është e falimentuar, por edhe vetë qeveria këtë e ka ndier çdo vit kur i është dashur të paguajë nga buxheti shuma të mëdha për të plotësuar “deficitin” në skemë. Aktualisht, Banka Botërore ka gati një platformë të reformimit të skemës, e cila do të bazohet në tri kolona kryesore. Përfaqësues të Bankës Botërore ishin pak kohë më parë në Tiranë për të bërë verifikimet e fundit lidhur me të dhënat e marra nga institucionet, përpara se platforma e reformimit të skemës të bëhet publike dhe të lihet rruga e hapur për miratim dhe zbatim të saj.

Reforma trekoloneshe
Kolona e parë:

Është shtetërore. Një përqindje e përcaktuar me ligj e kontributeve që paguan një individ, do të shkojë për skemën shtetërore.
Kolona e dytë
Është private dhe e detyrueshme. Një përqindje tjetër e kontributeve sipas përcaktimit që do të mund të bëhet me ligj, do shkojë me detyrim në një kompani private që licencohet për sigurimet e pensioneve.
Kolona e tretë
Është opsionale, pra jo e detyrueshme. Kjo kolonë ekziston aktualisht në formën e fondit të pensioneve vullnetare në kompani private të licencuara.

© Panorama.al

Te lidhura