Kreu i Kuvendit Komunal të Prishtinës nga radhët e LDK-së, Sami Hamiti, u arrestua nga Policia duke nxitur debate në Kuvendin e Kosovës. Deputeti i PDK-së, Berat Buzhala, kritikoi LDK-në se pse ende nuk ka dalë me asnjë deklaratë rreth arrestimit të Hamitit, i cili njëherësh është edhe zyrtar i lartë i LDK-së. “Arrestimi i kryesuesit të Asamblesë së Prishtinës, Sami Hamiti dhe mungesa e reagimit nga LDK-ja, ka shkaktuar shqetësim të jashtëzakonshëm te qytetarët. Njerëzit janë në huti për lejet që i kanë marrë, banesat që i kanë fituar dhe a është kjo gjithmonë e lidhur me krimin e organizuar dhe a do të vazhdohen ato leje”, ka thënë Buzhala. Kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri, kërkoi nga deputeti Buzhala që të shikojë punët e veta e jo të merret me LDK-në.











