Arrestohet polici, tutor i prostitutave

Jul 18, 2011 | 11:51
Hoteli ku u bë arrestimi dje në Durrës

Të paktën prej dy muajve, Arjan Hoxha, 37 vjeç, duhet të ketë përjetuar një personalitet të dyfishtë, teksa mbante uniformën e ruajtjes së rendit gjatë ditës, ndërsa shfrytëzonte dy vajza për prostitucion gjatë natës.Ky personalitet i dyfishtë ka marrë fund dje, kur shtetasi Arjan Seit Hoxha, me arsim të lartë, është nxjerrë përfundimisht nga radhët e policisë e madje, është arrestuar në flagrancë nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, teksa çonte prostitutat sipas porosisë së radhës në një hotel në Durrës. Zëdhënësi i policisë së Tiranës deklaroi dje se gjatë natës, mes të shtunës dhe të dielës u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit Arjan Seit Hoxha, 37 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë juridik me detyrën specialist për hetimin dhe parandalimin e krimit në Komisariatin e policisë Nr.3 në Tiranë.
Sipas burimeve nga Policia, arrestimi i punonjësit të Komisariatit Nr.3, Arjan Hoxha, u krye në vendin e quajtur Mali i Robit në Golem të Kavajës. “Oficeri i policisë në Komisariatin Nr.3 të Tiranës, u ndalua në hyrje të Hotel Onufri, pasi në rolin e tutorit kishte lënë për të prostituar në këtë hotel dy femra me inicialet M.T, 16 vjeçe dhe XH. H, 23 vjeçe nga Tirana”, tha policia. Sipas burimeve nga hetimi i çështjes, vajzat merrnin 100 euro për kryerjen e një marrëdhënieje seksuale me klientët që gjendeshin në shumicën e rasteve nga oficeri i policisë përmes kontakteve dhe njohjeve të tij. Arben Nasufi, zëdhënës i policisë së Tiranës, tha dje se oficeri Arjan Hoxha ka tentuar t`u largohet me shpejtësi agjentëve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, në momentin kur kuptoi se veprimtaria e tij ishte zbuluar.
Hetimi
Të dhënat e para për veprimtarinë kriminale të oficerit të policisë së Komisariatit Nr.3 janë marrë rreth dy muaj më parë. Në atë kohë, strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm kanë siguruar informacione operative se oficeri 37-vjeçar që merrte rrogën e shtetit në Komisariatin Nr.3 për parandalimin e krimeve, në fakt kryente vetë një krim të rëndë. Menjëherë pas marrjes së informacionit në fjalë, SHKB në Ministrinë e Brendshme ka hartuar planin e punës dhe me një hetim kompleks është ndjekur aktiviteti i oficerit të policisë. Ai mësohet se ka pasur kontakt me tri vajza, dy nga të cilat janë “viktimat” me të cilat efektivi i policisë u arrestua dje, ndërsa femra e tretë, sipas deklarimeve të 37-vjeçarit, është e fejuara e tij. Gjatë gjithë kohës, informacioni i dhënë për veprimtarinë e oficerit të policisë është parë me dyshim, pasi 37-vjeçari kishte mbaruar arsimin për Juridik, kishte disa vjet në polici dhe vinte nga një familje ku babai i tij ka qenë gjyqtar dhe më pas avokat.
Prostitucioni
Gjurmimi i veprimeve që kryente oficeri i policisë është kryer falë një plani tepër sekret hetimi, që është vënë në jetë çdo ditë pak e nga pak. Nga hetimet e kryera për oficerin është parë se ai shfrytëzonte dy nga tri vajzat dhe kjo ndodhte kryesisht të shtuna dhe të diela. Në fundjavë, polici merrte porosi të ndryshme kryesisht në telefon, por edhe verbalisht nga persona që kërkonin paraqitjen e prostitutave në hotel ose në banesë. Oficeri i transportonte vajzat me makinë deri në adresën e klientit dhe, pas aktit seksual shkonte dhe i merrte mbrapsht vajzat. Sipas hetimeve të policisë, secila prej tyre merrte 100 euro për një akt seksual. Pasi kryenin punën me klientët dhe takoheshin me policin, vajzat i dorëzonin atij shumën 100 euro dhe ai u kthente mbrapsht 5 mijë lekë të reja, duke ndarë kështu fitimin përgjysmë.

20 raste
të marrjes së porosive për dy vajzat dhe dërgimit të tyre tek klientët janë dokumentuar nga SHKB gjatë hetimeve të zhvilluara ndaj oficerit të policisë së Komisariatit Nr.3

Vajzat

Hetimet ndaj oficerit të policisë së Komisariatit Nr.3 në Tiranë, tashmë i arrestuar, kanë treguar se ai ka pasur kontakte të vazhdueshme me tri vajza. Sipas burimeve nga Policia, mësohet se një nga këto vajza, sipas oficerit, është e fejuara e tij. Ndërkohë, dy vajzat e tjera ishin rekrutuar dhe përdoreshin për ushtrim prostitucioni sipas porosive që merrte polici nga shtetas të ndryshëm.

Akuzat

Veç arrestimit të oficerit të policisë, në pranga janë vënë edhe dy vajzat që kryenin marrëdhënie seksuale me klientët në hotele të ndryshme. Ndaj dy vajzave mësohet se është ngritur akuza për “ushtrim prostitucioni”, për shkak se nga ndryshimet e viteve të fundit në legjislacionin shqiptar është parashikuar të ndëshkohen edhe femrat që ushtrojnë këtë aktivitet të paligjshëm.

Polici punonte si taksist, pa licencë

TIRANE – Gjatë hetimit më tepër se 2-mujor të zhvilluar ndaj oficerit të policisë Arjan Hoxha, grupi i hetimit ka zbuluar një tjetër qëndrim të parregullt të efektivit ndaj detyrës shtetërore. Sipas burimeve nga Policia, oficeri 37-vjeçar i Komisariatit Nr.3 sapo linte detyrën në punën e shtetit, në orët e mbrëmjes fillonte punën me një automjet duke shërbyer si taksi në Tiranë. Burimet nga policia thanë se oficeri kryente aktivitet pa licencë dhe pa automjet me shenja dalluese si taksi, por e ofronte këtë shërbim në mënyrë informale si shumë taksistë të tjerë në kryeqytet. Puna si taksist dhe aq më tepër me makinë private e kishte bërë krejt të padukshëm oficerin e policisë në lëvizjet e tij në Tiranë. Ai transportonte klientë çdo natë nga njëri kënd i kryeqytetit në tjetrin, njihte njerëz të rinj dhe vazhdimisht “u hidhte nga një fjalë” për dy vajzat që kryenin prostitucion me pagesë. Gjatë kohës që punonte si taksist, në orët e natës, kryesisht të shtunave dhe të dielave, oficeri i policisë me mjetin e tij i transportonte vajzat në hotele apo në banesa sipas kërkesave që kishin klientët. Porositja bëhej kryesisht me telefon në celularin e efektivit të policisë. Gjatë hetimit mësohet se Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm ka dokumentuar dhjetëra raste të përcjelljes së vajzave nga oficeri i policisë.

 

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura