
Ish-inspektori i KLD-së dhe ish-prokurori Kudret Kopo, u arrestua dje nga Policia e Vlorës për mashtrim dhe përvetësim të titullit të detyrës shtetërore.
Mësohet se 56-vjeçari Kopo ka shkuar me vullnetin e tij në polici nga ku ka bërë kallëzim se i kishin grabitur paratë. Ai është paraqitur me një dokument shtetëror, sipas të cilit mbante detyrën e inspektorit në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. “Nga thëniet e tij, ky shtetas pretendonte se ishte inspektor në KLD, pretendim për të cilin dispononte një dokument. Sipas Kopos, ai kishte ardhur në Vlorë, por dy persona e kishin futur në një shtëpi ku i kishin marrë me dhunë gjithë mjetet monetare që kishte me vete. Ndërkohë, nga hetimet rezultoi se shtetasi Kudret Kopo, ish-inspektor në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, ka bërë kallëzim të rremë duke përvetësuar titullin me qëllim mashtrimin e shtetasit D.Z., të cilit i kishte premtuar se me njohjet që kishte do t’i mbyllte një çështje penale në këmbim të shumës prej 5 mijë eurosh”, bëri të ditur Policia pas arrestimit të 56-vjeçarit. Policia kreu verifikim dhe rezultoi se momentalisht Kopo nuk punonte në KLD, dhe se ishte i papunë. Ai e kishte njohur shtetasin me inicialet D.Z., në Tiranë. Dyshohet se Kopo, edhe pasi kishte lënë detyrën e inspektorit në KLD, shkonte në Ministri dhe iu paraqitej palëve të interesuara për të zgjidhur çështje të drejtësisë, si zyrtar i këtij dikasteri. Dyshohet se në grackën e tij ka rënë edhe vlonjati D.Z., i cili i ka dhënë 5 mijë euro Kudret Kopos. Ky i fundit i ka premtuar se do t’ia zgjidhte çështjen penale, pasi kishte njohje dhe miq të fortë në Këshillin e Lartë të Drejtësisë. Por, pasi ka kaluar kohë dhe situata nuk po i zgjidhej, duket se ka nisur edhe konflikti mes tij dhe shtetasit D.Z. Ky i fundit është marrë në pyetje në polici dhe mësohet se ka deklaruar se 56-vjeçari i kishte premtuar zgjidhjen e çështjes penale, çështje për të cilën policia nuk bëri të ditur të dhëna për efekt hetimi. Për angazhimin e marrë, Kopo ka përfituar shumën prej 5000 eurosh, por më vonë nuk kanë rënë dakord, dhe shtetasi D.Z. ia ka marrë me dhunë lekët që i kishte dhënë dhe një sasi prej 1900 eurosh, që ky shtetas kishte me vete.
VLORE/ QEMAL BIRAKU











