Arrestohet gruaja që plagosi ish-avokatin e Nehat Kullës

Aug 6, 2011 | 12:28

Policia e Tiranës arrestoi dje një grua 53-vjeçare të akuzuar për plagosjen e ish-avokatit të Nehat Kullës, Dino Lelit, ngjarje e cila ka ndodhur 10 ditë më parë në kryeqytet.

E arrestuara quhet Fatime Fregja dhe gjatë deklarimeve që ka dhënë në Komisariatin Nr. 1 ka pranuar autorësinë e ngjarjes, madje në shtëpinë e saj, te rruga “5 Maji”, në Tiranë, është gjetur edhe arma e krimit, një pistoletë tip “Miniblow”. Sipas burimeve nga Policia mësohet se e dyshuara ka pohuar se e ka plagosur avokatin Leli për motive të dobëta, pasi ai e ka ngacmuar. Sipas policisë, e dyshuara Fregja ka pohuar se ka shkuar disa herë në zyrën e avokatit, pasi ai kishte klient djalin e saj dhe detyrimisht duhej ta takonte herë pas here. Por, ndryshe nga pretendimet që e arrestuara ka ngritur në polici, avokati Dino Leli, i kontaktuar nga gazeta “Panorama”, shprehet se nuk ka asnjë lloj njohjeje me gruan e arrestuar. “Nuk kam asnjë ide se kush është e arrestuara. Unë e kam marrë vesh arrestimin e saj nëpërmjet medias dhe emri i saj nuk më kujton absolutisht asgjë”, është shprehur avokati Leli në një prononcim në linjë telefonike. PLAGOSJA Ngjarja për të cilën akuzohet 53-vjeçarja e arrestuar Fatime Fregja ka ndodhur mbrëmjen e 26 korrikut, në afërsi të shkollës “1 Maji”, te Rruga e Elbasanit në Tiranë. Fillimisht ngjarja është denoncuar si një atentat dhe vrasje e mbetur në tentativë ndaj avokatit Dino Leli, i njohur si avokati i një prej të fortëve të Tiranës, Nehat Kulla. Ai ka kallëzuar se ka dëgjuar të shtëna armësh dhe pasi është rrëzuar në tokë ka ndjerë një dhimbje në vesh dhe më pas ka parë që ishte plagosur. Avokati ka sqaruar se në atë moment po priste një klientin e tij dhe po fliste në telefon duke lëvizur përgjatë trotuarit. Por, të nesërmen pas ngjarjes, ai ka hedhur poshtë mundësinë e një atentati ndaj tij, duke thënë se të shtënat e armës nuk kishin lidhje me të dhe se plagët i ka pësuar pasi është rrëzuar në tokë, i frikësuar nga të shtënat që ka dëgjuar. Ndërsa dje, pas arrestimit të së dyshuarës, e cila rezulton të jetë nëna e një klienti të avokatit Leli, ngjarja rezulton që ketë pasur lidhje drejtpërsëdrejti me avokatin. E arrestuara ka pranuar autorësinë, madje është shprehur se e ka plagosur avokatin për motive të dobëta, pasi ai e kishte ngacmuar.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura