
TIRANE- Arrestohet fall-xhorja 45-vjeçare, e cila një javë më parë, në plazhin e Malit të Robit, i grabiti bizhuteritë e floririt një turisteje nga Suedia. E dëmtuara, Valdete Jusufi, 28 vjeçe, me origjinë shqiptare nga Maqedonia, por me shtetësi suedeze, denoncoi se ishte mashtruar nga dy gra, që sipas saj, ishin të komunitetit rom, të cilat i vodhën 4 unaza floriri dhe byzylykun që mbante në dorë. Ajo ndodhej me pushime bashkë me të shoqin, Muharrem Jusufi dhe vajzën e tyre të mitur. Pranvera Hymerllaj është prangosur së bashku me të shoqin, Ardjan Hymerllaj, shtetas romë, banorë të Fushë-Krujës, prindër të tre fëmijëve. Ndërsa bashkëpunëtorja tjetër e fallxhores Hymerllaj, edhe ajo e komunitetit rom, nuk është ndaluar ende nga policia, duke qenë se e arrestuara e ka përjashtuar nga vjedhja, duke e marrë vetë autorësinë e ngjarjes. Burimet thanë se bashkëshorti i saj, 41-vjeçari Ardjan Hymerllaj, është arrestuar pasi ka ndihmuar dy fallxhoret të largohen nga vendngjarja me një makinë tip “Benz”. Gruaja që akuzohet për vjedhje nëpërmjet mashtrimit mësohet se është bashkëpunëtore edhe në një tjetër ngjarje të ngjashme që ka ndodhur më 24 prill të këtij viti në zonën e Shkozës në Tiranë. Për këtë ngjarje, Policia e kryeqytetit pati arrestuar shtetasen rome, banore e Fushë-Krujës, Nanije Muhaxhiri, e cila akuzohej se i kishte vjedhur vathët një vajze 16-vjeçare. Muharrem dhe Valdete Jusufi janë paraqitur në Komisariatin e Kavajës rreth orës 21:00 të datës 31 gusht, ku kanë denoncuar vjedhjen që u kishte ndodhur në plazh, për të cilën ata dyshonin te dy fallxhore. Çifti Jusufi, banues në qytetin Vaggeryd, Industi Vegen të Suedisë, por me kombësi shqiptare e shtetësi maqedonase, kanë dhënë përshkrimet e tyre rreth autoreve dhe momentit të ngjarjes. Sipas tyre, ata kanë dalë nga hoteli ku qëndronin prej 10 ditësh dhe rreth orës 09:30 ndodheshin në shezlongun e kompleksit ku ishin akomoduar te Mali i Robit. Në këtë kohë, dy gra, që sipas tyre ishin të komunitetit rom, u janë afruar dhe pasi i kanë lutur që t’u lexonin “fatin” në duar, e kanë bindur 28-vjeçaren Valdete Jusufi, e cila në denoncim shprehet se në atë moment është ndjerë si e hipnotizuar. Pasi kanë mbaruar me shikimin e dorës, gratë janë larguar me nxitim dhe kanë hipur në një makinë tip “Benz”, që rezultoi të jetë e bashkëshortit të njërës prej fallxhoreve të arrestuar.











