
Shtetasi Miklaim Metalia, 29 vjeç, ka qenë duke finalizuar dasmën e tij në një ambient familjar kur agjentët e Policisë së Tiranës kanë mbërritur me një urdhër ndalimi nga Prokuroria. “Duhet të vini me ne në komisariat”, ka qenë urdhri i prerë që efektivat e Policisë i kanë shqiptuar 29-vjeçarit. Ai është prangosur sapo ka hyrë në makinën e policisë, ndërsa në komisariat i është njoftuar akuza e vjedhjes në bashkëpunim. Burimet nga Policia e kryeqytetit thanë se zhvillimi i aksionit në ditën e dasmës së 29-vjeçarit është një rastësi. Sipas tyre, finalizimi i provave të mbledhura dhe identifikimi i autorëve përcaktoi edhe kohën e zhvillimit të aksionit. Në grabitjen e ndodhur më 24 gusht mësohet se kanë marrë pjesë edhe shtetasit Dritan Rexhaj dhe Ali Kastrati. Të tre personat janë vënë në pranga në të njëjtin aksion nga Policia e kryeqytetit, në kuadër të arrestimit të autorëve të vjedhjeve që kanë ndodhur gjatë muajve të fundit. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Tiranës, tre të arrestuarit, Miklaim Metalia, Dritan Rexhaj dhe Ali Kastrati, akuzohen se në datën 24 gusht kanë vjedhur me thyerje një kasafortë në zyrat e një kompanie që tregton materiale ndërtimi. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Siri Kodra”, ku dëmi ekonomik i shkaktuar ka qenë 11 mijë euro. Kjo sasi ishte marrë me gjithë kasafortën e vjedhur. Policia filloi hetimet në lidhje me ngjarjen, e cila për disa ditë mbeti pa autor, derisa u arrit që me provat e marra në vendngjarje të identifikoheshin autorët e krimit. GRABITËSI ME ARMË Ditën e djeshme policia e kryeqytetit ka vënë në pranga një person të kërkuar për vjedhje me armë. Në një tjetër aksion nga ai që prangosi katër hajdutët e kasafortës, forcat policore kanë vënë në pranga shtetasin Mariglen Hoxha, 21 vjeç. Policia bëri të ditur se arrestimi është kryer nga seksioni kundër vjedhjeve me dhunë dhe me armë. Policia bëri me dije se pas një hetimi dymujor është bërë ekzekutimi i urdhrit të ndalimit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për shtetasin Mariglen Xhavit Hoxha, 21 vjeç, banues në Tiranë. Policia ka bërë të ditur se ky shtetas, tashmë i arrestuar, akuzohet se më datë 8 korrik 2012, në afërsi të një spitali privat në Tiranë, ka vjedhur me dhunë dhe armë shtetasin O. Rustemi. I arrestuari akuzohet se i ka marrë të dëmtuarit shumën e parave prej 20 000 lekësh. O. Rustemi ishte i punësuar si shpërndarës ushqimesh fast–fond dhe ka pasur me vete një sasi parash me të cilat kishte kryer pagesat dhe likuidimet e radhës. Policia bëri me dije se në këtë ngjarje, shtetasi Mariglen Hoxha ka pasur edhe një bashkëpunëtor. “Aktualisht, nga strukturat e Policisë po punohet për kapjen edhe të bashkëpunëtorit tjetër të 21-vjeçarit Hoxha”, thanë burimet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Sipas Policisë, pas arrestimit të personit të dyshuar dhe shpalljes në kërkim të bashkëpunëtorit të tij, po vazhdojnë hetimet për të parë nëse ata janë përfshirë në episode të tjera kriminale.











