Arrestohen katër grabitës çantash e varësesh floriri

Sep 3, 2012 | 12:08

Tiranë, goditet grupi i të rinjve nga Priska, maskoheshin me bluza.

Katër persona të akuzuar për vjedhje me dhunë në Tiranë u arrestuan dje nga policia. Një aksion i forcave të Policisë së Komisariatit Nr.3 të Tiranës ka parandaluar vjedhjen e radhës që tre nga të arrestuarit kishin planifikuar të kryenin në zonën e “Don Boskos”, duke i arrestuar në flagrancë bashkë me “armët” e krimit që po planifikonin. Burime zyrtare të Policisë së Tiranës thanë se në kuadër të planit të masave për goditjen e grupeve që vjedhin me dhunë qytetarët në rrugë, është bërë i mundur arrestimi i katër të rinjve në dy zona të Tiranës. Njëri nga të dyshuarit është kapur në flagrancë, pasi i kishte shkulur me forcë varësen e floririt nga qafa një gruaje të moshuar, në rrugën “Babë Rexha”. Ndërsa tre personat e tjerë, që ishin nën hetim prej disa javësh, janë arrestuar në një lokal në rrugën “Don Bosko”, kur po përgatiteshin për sulmin e radhës. Ata gjatë javëve të fundit u kishin vjedhur grave varëset e floririt e çantat e krahut në zona të ndryshme të Tiranës. Falë informacioneve të siguruara në rrugë operative nga ana e Policisë, është bërë i mundur arrestimi i tyre. Denoncimet e bëra më parë dhe përshkrimi i dhënë nga personat e dëmtuar i kanë shërbyer Policisë për të gjurmuar të dyshuarit dhe për t’i vënë në pranga para se të bënin goditjen e radhës.
ARRESTIMET
Aksioni i parë i Policisë së Tiranës është kryer paraditen e djeshme pranë zonës së ish-Parkut të Autobusëve nga forcat e Komisariatit Nr.2. Pas një denoncimi të marrë nga shtetasja me iniciale B.Xh., e cila shpjegonte se në rrugën “Babë Rexha” një i ri i kishte shkulur me forcë varësen e floririt nga qafa, Policia ka nisur aksionin për identifikimin dhe kapjen e autorit. Kanë mjaftuar vetëm disa minuta dhe i dyshuari është arrestuar në afërsi të një qendre tregtare, pranë zonës ku ndodhi ngjarja. Burimet thanë se i dyshuari është Anton Çupi, 24 vjeç, të cilit në momentin e arrestimit iu sekuestrua edhe varësja e vjedhur. Ndërsa aksioni i dytë u krye nga shërbimet e Komisariatit Nr.3 në zonën e “Don Boskos” në Tiranë, ku u arrestuan Mikel Xhibro, Vladimir Jonuzi dhe Ilir Shehi, të tre banues në Prezë, të akuzuar për mbi 15 vjedhje me dhunë, varësesh e çantash. Në momentin e arrestimit atyre iu sekuestrua një çantë, brenda së cilës u gjet një thikë që përdorej për të kërcënuar kalimtarët dhe disa bluza me ngjyra të ndryshme, të cilat autorët i përdornin për t’i vendosur në kokë, që të maskoheshin për të mos u identifikuar dhe për të fshehur vjedhjet që kryenin. Pas arrestimit të katër personave, Policia ka informuar se ka nisur hetimet për zbulimin e ngjarjeve të tjera, në të cilat mund të jenë implikuar të dyshuarit.

Grabitja e dyqanit
Dje rreth orës 10:00 të mëngjesit, në një dyqan të kompanisë celulare te rruga “Myslym Shyri”, një 20-vjeçar i armatosur me një pistoletë imitim të tipit “Bereta”, ka kërcënuar shitësen M.S., së cilës i ka vjedhur celularin “Nokia E 71”. Menjëherë pas denoncimit, Policia ka nisur aksionin për kapjen e tij, duke e vënë në pranga disa metra larg vendit të ngjarjes, në një lokal pas ish-ekspozitës “Shqipëria sot”. I arrestuari është Tedi Spahiu, të cilit i është sekuestruar arma dhe telefoni i vjedhur.

TE ARRESTUAR
1.    Anton Çupi,
nga Mirdita
2.    Mikel Xhibro,
nga Priska
3.    Vladimir Jonuzi,
nga Priska
4.    Ilir Shehi,
nga Priska

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura