
Aksioni “Monstrum”/ 800 policë në fshatrat shqiptare rreth Shkupit.
Ministria e Brendshme maqedonase ka njoftuar arrestimin e autorëve të vrasjes së pesëfishtë në fshatin Smilkovcë pranë Shkupit, të cilët janë mes 20 radikalëve islamikë që u kapën në operacionin “Monstrum”.
Disa prej tyre janë të dyshuar për vrasjen e 5 të rinjve maqedonas më 13 prill. Ministrja Gordana Janullovska tha se të arrestuarit u përkasin grupeve radikale islamike dhe shumica janë shqiptarë. Jankullovska theksoi se pjesa më e madhe prej tyre janë shtetas të Maqedonisë. “Kemi të bëjmë me grupe radikale islamike, me persona të rrezikshëm për të cilët do të ngrihen padi penale për terrorizëm. Këta persona kanë qenë në Pakistan dhe Afganistan, praktikisht kanë luftuar edhe kundër trupave ndërkombëtarë të paqes”, tha Jankullovska. Operacioni ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në fshatrat rreth vendit të vrasjes së pesë maqedonasve. Mediat komentojnë se arrestimet janë kryer në fshatrat ku banojnë shqiptarët: në Seravë të Çairit, Hasanbeg dhe Haraçinë. Pas kontrolleve në shtëpinë e të arrestuarve janë gjetur sasi armësh e municionesh, sipas ministres maqedonase. Kontrolle janë kryer në 26 ndërtesa. Operacioni “Monstrum” ishte nga më të komplikuarit e Policisë së Shkupit, ku janë angazhuar rreth 800 policë. Sipas MPB-së, në ndërtesat e kontrolluara është gjetur sasi e madhe armësh, literaturë për përfaqësimin ideologjik të këtyre personave dhe një sërë lëndësh të tjera të cilat mund të shfrytëzohen ose janë shfrytëzuar për kryerjen e veprave penale. “Në vijim është ekspertiza që do të përcaktojë nëse arma e gjetur është përdorur në vrasjen e pesëfishtë”, deklaroi ministrja Jankullovska. Ajo përjashtoi motivin etnik, duke u shprehur se motivi i vrasjes janë udhëzimet nga islami radikal. “Viktimat nuk kanë pasur lidhje direkte me vrasësit”, tha Jankullovska. Ajo ka shtuar se operacioni do të vazhdojë dhe priten arrestime të tjera.
© Panorama.alNgjarja e 13 prillit
Më 13 prill, në bregun e liqenit Hekurana pranë Smilkovcit u vranë katër të rinj maqedonas dhe një peshkatar, që besohet se ishte dëshmitar i ngjarjes. Katër viktimat e para, ndaj të cilave besohet se është qëlluar nga të paktën tre persona në drejtime të ndryshme, ishin të moshës 18-20 vjeç, ndërsa peshkatari i cili ishte qëlluar më vonë, 44 vjeç. Ngjarja rriti tensionet etnike në Maqedoni mes shqiptarëve dhe maqedonasve.











