Arrestimi për armëmbajtje pa leje, Gjykata: 30 ditë burg Godeliit

Sep 11, 2012 | 14:28
Daniel Godelli

ELBASAN – Gjykata e Elbasanit caktoi masën e arrestit me afat 30 ditë burg për ish-kampionin e Europës në peshëngritje, Daniel Godelli. Seanca ndaj sportistit të akuzuar për armëmbajtje pa leje u zhvillua mesditën e djeshme në Gjykatën e Elbasanit. Nga ana e saj gjyqtarja Idush Maliqi, duke vlerësuar të ligjshme masën e ndalimit të peshëngritësit të mirënjohur nga Peqini, la në fuqi kërkesën e bërë nga organi i akuzës, e cila është paraqitur nëpërmjet prokurorit Petref Asllani. Avokatja e peshëngritësit Daniel Godelli kërkoi që për klientin e saj të caktohej masa e sigurimit detyrim paraqitjeje pranë Policisë Gjyqësore, kërkesë që u refuzua nga kryesuesja e trupit gjykues, sipas së cilës duhet të zbardhen disa detaje të rëndësishme të hetimit të kësaj çështjeje. Sipas Maliqit, duhet pritur akti i ekspertimit të dy armëve të zjarrit, si dhe i disa materialeve të tjera të cilësuar të dyshimta, të cilat iu gjendën dhe iu sekuestruan peshëngritësit Daniel Godelli. Ky i fundit u arrestua gjatë një operacioni të RENEA-s, që u zhvillua në disa qytete të vendit fundjavën e kaluar. Gjatë kontrollit që forcat RENEA i bënë automjetit tip “Audi” me targa të huaja të cilin e drejtonte peshëngritësi Godelli, atij iu gjetën dy armë zjarri të llojit pistoletë, të cilat ai i mbante pa lejen e organeve kompetente. Në momentin e kontrollit që iu bë nga RENEA makinës së peshëngritësit Daniel Godelli, ai ishte i shoqëruar nga një person tjetër, i cili është shoqëruar për në Komisariatin e Policisë së Elbasanit. Godelli në 2008-n u shpall “Kampion Europe” i Francës në stilin e shkëputjes. Ky sportist dy vite më parë u arrestua në Portin e Vlorës me armë e municione luftarake, në tentativë të trafikimit të tyre jashtë vendit. Seanca gjyqësore e caktimit të masës së sigurimit të kampionit të Europës, Daniel Godelli, u ndoq edhe nga kolegë të tij peshëngritës dhe trajnerë të njohur të këtij sporti. Arrestimi i Godellit gjatë aksionit të forcave speciale në Peqin nuk është precedenti i parë i sportistit me Policinë. Edhe dy vjet më parë ish-kampioni ndërkombëtar është arrestuar për të njëjtën akuzë, pasi në banesë i janë gjetur armë zjarri dhe municione të tjera luftarake. Edhe asokohe policia ushtroi kontroll dhe arriti të gjejë armatimin dhe municionet. Daniel Godelli, 20 vjeç, u bë i njohur në korrik të vitit 2008, ku u shpall kampion i Europës në stilin e shkëputjes në Francë për moshat 17-vjeçare.

© Panorama.al

Te lidhura