
TIRANE – Gjykata e Apelit në kryeqytet liroi dje nga qelitë e paraburgimit Emiliano Shullazin, të arrestuar ditën e zgjedhjeve vendore të 8 majit në zonën e Liqenit Artificial në kryeqytet. Një vendim i Apelit ndryshoi masën e sigurisë “arrest me burg”, dhënë për Shullazin nga Shkalla e Parë. Një treshe gjyqtarësh e kryesuar nga gjyqtari Alaudin Malaj vlerësuan se i pandehuri Shullazi ishte në kushtet që si masë sigurie shtrënguese të ishte ajo e “arrestit shtëpiak”. Mësohet se edhe në Gjykatën e Apelit mbrojtja e Shullazit ka pretenduar se arma e sekuestruar ishte “trofe” i blerë në Turqi, ndërsa antiplumbi ishte blerë në Amerikë. Po dje, burime pranë Gjykatës së Tiranës pohuan se në 8 korrik është caktuar seanca e parë gjyqësore e Shullazit në Gjykatën e Tiranës. Dosja me tre të pandehur, Emiliano Shullazi, Altin Masha dhe Ilir Shullazin ka mbërritur vetëm pak ditë më parë në Gjykatë. Sipas pro-kurorisë, ata akuzohen për veprat penale “mbajtje pa leje të armëve luftarake” dhe “moskallëzim krimi”. Shorti elektronik ka përzgjedhur gjyqtarin Petrit Çomo, si gjyqtari që do kryesojë gjykimin e kësaj dosjeje në Gjykatën e Tiranës. Emiliano Shullazi dhe dy të bashkëpandehurit e tij u arrestuan rreth orës 18:00 të datës 8 maj, ditën e zgjedhjeve. Në vendimin e Gjykatës së Tiranës, që la në burg Shullazin, pohohej se në këtë orë Policia e Tiranës ishte sinjalizuar se disa persona të armatosur po lëviznin në zonën e Farkës. “Nga kontrolli i ushtruar automjeteve u kapën brenda automjetit Mercedes Benz Sel, me ngjyrë të zezë, me targë TR 4028 J shtetasit Altin Masha, Ilir Shullazi dhe Emiljano Shullazi. Nga kontrolli fizik, këtyre personave nuk i janë gjetur sende të kundërligjshme, por shtetasi Emilajno Shullazi mbante të veshur një jelek antiplumb”, thuhej në vendimin e Shkallës së Parë. Po në atë vendim pohohej se në automjetin tip “Benz” janë gjetur më pas dy armë pistoleta, si dhe tri radio marrëse-dhënëse. Në të njëjtën ditë, pas një kontrolli fizik në banesën e Shullazit, policia sekuestroi si provë materiale një armë trofe. Në Gjykatën e Tiranës, Shullazi pretendoi se pasditen e 8 majit kishte shkuar për një darkë në zonën e Farkës dhe se nuk kishte me vete armë apo radio. Po sipas tij, në automjetin ku u gjetën sende të jashtëligjshme, ai ndodhej rastësisht. Për jelekun antiplumb ai tha se e mbante për arsye personale. Jeleku ishte blerë në Amerikë me faturë dhe ka ardhur me postë në Shqipëri, duke kaluar në pikat doganore. ar.ba











