
Drejtoria e Policisë Tiranë zhvilloi dje analizën e 6 muajve të parë të këtij viti. Në një bilanc mjaft pozitiv, gjatë prezantimit të statistikave u cilësua si operacioni më i suksesshëm arrestimi i supergrabitësit Viktor Gushi, i akuzuar për 15 vjedhje me armë dhe dy vjedhje me armë me pasojë vdekjen në Tiranë. I pranishëm në analizë, ministri i Brendshëm, Flamur Noka, kërkoi nga Policia e kryeqytetit luftë pa kompromis kundër krimit. Vëmendje të veçantë për vjedhjet, si dhe problemet e pronësisë, që shpesh kanë shkaktuar ngjarje të rënda kriminale. Policia e Tiranës deklaroi se gjatë 6 muajve të parë të 2012-s janë regjistruar 3972 vepra penale. Ndërsa janë zbuluar 86.5 për qind e veprave penale të ndodhura në Tiranë, duke u ndaluar 3762 persona, 786 janë arrestuar dhe 2726 në procedim të lirë. Gjatë kësaj periudhe janë realizuar 58 operacione, ose 14 më shumë se një vit më parë. Bilanci më pozitiv i punës së Policisë së kryeqytetit edhe këtë vit i përket Seksionit të Antidrogës. Për 6 muaj Policia ka regjistruar 241 vepra penale, duke nisur procedimin penal për 308 autorë. “Në krahasim me vitin 2011 është sekuestruar 3 herë më shumë heroinë, 4 herë më shumë kokainë dhe 2 herë më shumë hashash”, u theksua gjatë analizës së Policisë së Tiranës. Në zbatim të ligjit antimafia, Policia e kryeqytetit ka nisur hetimet për verifikim pasurie për 36 persona, për të cilët janë dërguar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda 15 materiale referuese me qëllim hetimin pasuror. Përsa u përket krimeve të rënda, rezulton që nga muaji janar e deri në fund të qershorit, nga 175 krime të ndodhura, janë zbuluar 114 prej tyre, me 117 autorë të arrestuar. Përsa u përket aksidenteve automobilistike, rezulton të kenë humbur jetën 10 persona, 11 të tjerë të plagosur rëndë, ndërsa 120 me plagë të lehta. Për shkelje të Kodit Rrugor, Policia ka sekuestruar 4791 mjete për mangësi në dokumentacion.











