Prokuroria shqiptare bllokon rreth 3 milionë euro llogari bankare të biznesmenit Ali Evsen, pronar i “Albanian Airlines”, i arrestuar javën që shkoi në Spanjë nën dyshimin për pastrim parash. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme thanë se kanë nisur hetimet kryesisht pas informacionit të marrë se ndaj biznesmenit që ka vepruar në Shqipëri është ngritur akuzë për “pastrim parash” nga Prokuroria spanjolle. Sipas Prokurorisë, menjëherë ka nisur verifikimi i pronave dhe llogarive bankare të shtetasit Ali Evsen, 49 vjeç ku nuk ka dalë se ai ka kryer veprime e transaksione të shumta bankare. Nisur nga ky fakt, Prokuroria shqiptare ka urdhëruar dje ngrirjen e llogarive me vlerë deri në 3 milionë euro, në mënyrë që ato të mos tjetërsohen. Nga ana tjetër, Prokuroria tha dje se është në proces verifikimi për pasuri të tjera të biznesmenit Ali Evsen, i cili rezulton zotërues i disa kompanive, disa aktive dhe disa të tjera me status inaktiv. Në Spanjë Ali Evsen u arrestua nën akuzën se ka nënshkruar kontrata fiktive kredidhënieje me biznesmetin Hysein Salem nga Egjipti, një nga njerëzit më të afërt të ish-presidentit Hosni Mubarak. Biznesmenit Selam iu bllokuan 32 milionë euro pasuri në Spanjë, fitime që dyshohet se kanë ardhur nga shitja nën kosto e gazit të marrë në Egjipt.











