Ministria e Punëve të Jashtme ka shprehur sot shqetësimin e saj për bastisjet dhe arrestimet në fshatrat shqiptare në afërsi të Bujanovcit, ngjarje të cilat, sipas saj, ndodhin në prag të heshtjes zgjedhore.
MPJ është duke ndjekur më vëmendje zhvillimet në Luginën e Preshevës, thuhet në një deklaratë të ministrisë, duke shtuar se “rikthimi i retorikave me akuza për të ashtuquajturat krime lufte në Kosovë, gjatë procesit zgjedhor dhe me synim për përfitime politike, dëmton standardet demokratike dhe bashkëjetesën ndëretnike në vend.”
“MPJ gjykon se akte të tilla, nuk i shërbejnë mirëkuptimit dhe bashkëjetesës paqësore ndërmjet komuniteteve etnike në Serbi dhe as nuk janë në funksion të forcimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit e integrimit rajonal dhe frymës së proceseve integruese në BE.”- thekson deklarata.
Lidhur me arrestimet në Luginën e Preshevës, ka reaguar edhe qeveria e Kosovës, e cila ka akuzuar Serbinë se po vazhdon me qasjet e saj antieuropiane.
© Panorama.al











