Per ngjarjet me te fundit dhe arrestimet e shqiptareve ne Luginen e Presheves ka reaguar sot edhe Partia Socialiste. Ajo, permes nje deklarate per mediat bën thirrje për uljen e tensioneve ndëretnike dhe paralajmëron për rrezikun që vjen nga rikthimi i retorikës e praktikave të pak viteve më parë, të cilat dëmtojnë rëndë harmoninë ndëretnike dhe pengojnë bashkëpunimin rajonal, si një element i rëndësishëm edhe për proceset integruese euro-atlantike të rajonit.
“Partia Socialiste ndjek me vëmendje zhvillimet politike në Luginën e Preshevës dhe shpreh shqetësimin e thellë për rritjen artificiale të tensioneve politike në prag të zgjedhjeve në Serbi. Bastisjet e arrestimet e shqiptarëve në afërsi të Bujanovcit dhe proceset e montuara politikisht, si dhe zhvillimi i zgjedhjeve në atmosferën e frikës, panikut e presioneve, vënë në diskutim standardet demokratike ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut të detyrueshme për çdo vend”, thuhet në deklarate.
Sipas saj, PS shpreh mbështetjen e saj të plotë për faktorin politik shqiptar në përpjekjet e tij për përballimin me maturi e pjekuri të provokimeve dhe të tentativave për zbrazjen e Luginës së Preshevës nga shqiptarët.










