FATOS ÇOÇOLI
Kryeministri deklaroi dje se mund edhe të arrestohesh, nëse ke të punësuar me paga të trukuara në sipërmarrjen tënde. A duhet shkuar deri tek arresti? Pse jo? Në kohën e skandalit të 637 mijë pagave të shqiptarëve, të bëra publike më 22 dhjetor 2021, nga rrjedhja më e madhe e informacionit në historinë e administratës sonë publike, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve u formua Njësia Antiinformalitet për të Ardhurat nga Punësimi dhe Shërbimet. Kjo Njësi analizoi 142 mijë vende pune të paguara nga mbi 10 mijë kompani private. Pastaj analizoi pagat e mijëra kompanive të tjera. Rezultati i marrë ishte tronditës.
Pas dekadash pune në tym dhe mjegull të Inspektoratit të Punës dhe të strukturave të tjera që kanë detyrë të kontrollojnë deformimet nga pagat reale dhe i marrin kot rrogat e tyre nga paratë tona si taksapagues, se kanë bë një vrimë në ujë deri tani, doli që mbi një e katërta e të punësuarve të kontrolluar fillimisht, ose tre mijë e treqind e pesëdhjetë e tre tatimpagues, reaguan pozitivisht nga kontrolli jogjobëvënës dhe oferta publike e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve në janar 2022.
Këto kompani e rritën vetë pagën për më shumë se 30 për qind të numrit të punonjësve të tyre. Ç’do të thotë kjo? Do të thotë se gati në një të tretën e sipërmarrjeve private, ka punonjës që firmosin në bordero për pagën e tyre, më pak nga sa realisht marrin. Sipas INSTAT, të punësuarit në privat te ne janë mbi 1 milion e 70 mijë, nëse heqim 180 mijë veta që punëson shteti, i bie që treqind mijë paga të jenë të trukuara. Duke vazhduar me angazhimin për transparencë, qeveria duhet së pari të bëjë publik zotimin e saj për një rishikim të brendshëm të pabarazisë së pagave në treg, duke e studiuar dhe diskutuar me ekspertët e punësimit, të pagave, të ekonomisë dhe ekspertët fiskalë. Shifra 30 për qind me paga të deformuara është vërtet tronditëse. Nëse marrim një mesatare page prej 690 euro në muaj në sektorin privat, i bie që 210 milionë euro paga në muaj të mos jenë të deklaruara korrekt në shtet. Ose një evazion të paktën 13 milionë euro në muaj apo mbi 150 milionë euro në vit para të pa dhëna shtetit nga punëdhënësi dhe punëmarrësi për sigurimet shoqërore. Ose mbi 150 milionë në euro në vit para të mohuara pensionistëve tanë, që mund të kishin parë pensionin e tyre të rritej me 20-30 mijë lekë të vjetra më shumë çdo muaj.
Kjo po që përbën krim ekonomik! Dhe duhet ndëshkuar në mënyrën më të ashpër, që trukimi i pagave të mos jetë më një dukuri kaq e përhapur tek ne. Asnjë vend tjetër i ngjashëm me ne në rajon, Kosova, Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi nuk e ka kaq të përhapur shmangien fiskale nga trukimi i pagave. Ja përse kryeministri me të drejtë tha dje se ai që trukon pagën (në radhë të parë punëdhënësi), duhet të mbajë përgjegjësi penale deri në arrestim. Ndërkohë, përveç përfitimit të të ardhurave shtesë në buxhetin e shtetit për të ndihmuar pensionistët, duke rritur ndjeshëm pensionet e tyre, një përfitim akoma më i madh mund të duket në horizont. Mundësia që të luftohet me seriozitet evazioni i përbindshëm fiskal i vendit, i fshehur jo vetëm dhe thjesht te pagat e deformuara, por te bilancet e trukuara.
Nëse pagat e deformuara japin mungesë kontributi në buxhetin e shtetit prej mbi 150 milionë euro të ardhura në vit për sigurimet shoqërore, bilancet e deformuara (një për shtetin dhe një me fitim real për pronarin e kompanisë) me shpenzime të fryra qëllimshëm dhe fitime të fshehura, u mohojnë pensionistëve tanë, arsimtarëve, mjekëve etj., rreth 260 milionë euro në vit nga mospagimi i fitimit real! Rikuperimi i një pjese të 13 milionë eurove të trukimit të pagave, nëpërmjet pagave më të rritura të vetëdeklarura nga bizneset, përbën një fitore e vogël shpresëdhënëse. Por qeveria duhet të fillojë me “gjuetinë” e madhe të evazionit. Pra, me betejën ndaj shmangies së pagesave për shtetin, përmes bilanceve të trukuara.
Duhet të ketë qartësinë t’u japë detyrë tatimorëve tanë të rifillojnë, pas 19 viteve, kryqëzimin e të dhënave për shitjet dhe blerjet. Duke nxjerrë zbuluar lojën e pistë të dhjetëra e dhjetëra tatimorëve të lagjeve, që i quajnë bilancet e paraqitura nga kompanitë si të mirëqena, pa u munduar një herë të vetme të kryqëzojnë të dhënat. Sepse kryqëzimi do të hapte Kutinë Pandorës të abuzimit më të përbindshëm 19- vjeçar me detyrimet ndaj shtetit, pas “taksës” madhore të korrupsionit. Kjo e fundit llogaritet në këto 19 vitet e fundit në nivelin e 2.8 miliardë eurove, ndërsa evazioni fiskal nga bilancet e deformuara te kompanive është dhe më i madh. Paraqitet në 3.7 miliardë euro në këto 19 vite, ose 25 herë më i madh se evazioni nga pagat e deformuara! Fillimi i mbarë gjysma e punës, thotë populli. Le të shpresojmë.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al