
TIRANE – Edhe pse prej pesë ditësh kanë denoncuar si të humbur të afërmin e tyre, familja e arkëtarit të karburantit, Shpëtim Bocerri, ende nuk ka asnjë informacion për vendndodhjen e tij. Përveç policisë së Tiranës, duket se gjashtë vëllezërit e 37-vjeçarit po hetojnë edhe vetë privatisht për të zbuluar ndonjë informacion që mund t’i çojë drejt gjurmëve të tij. Ndërsa burime nga Policia thanë se dje është shoqëruar për t’u marrë në pyetje, në postën e policisë së Vorës, personi i fundit që ka takuar Bocerrin para se ai të zhdukej. Sipas burimeve, personi i fundit që e ka parë arkëtarin e karburantit është Pëllumb Çali, i cili punon në një gomisteri pranë pikës së karburantit në autostradë. Por, megjithatë, as dëshmia e tij nuk e ka ndihmuar grupin hetimor për të zbuluar vendndodhjen e 37-vjeçarit të humbur prej pesë ditësh. Dëshmitari ka pohuar në polici, por edhe për familjarët e Bocerrit, se ka pirë një kafe me arkëtarin pranë karburantit, por ai ishte mjaft i qetë dhe nuk dukej sikur kishte ndonjë problem. Pas kafes, sipas dëshmitarit, Bocerri është kthyer në punë, tek arka e karburantit, nga ku ka dalë disa minuta më pas me telefon në dorë, rreth orës 14:30 të ditës së premte, dhe është drejtuar më këmbë për nga ura e Limuthit. Familjarët e Shtëpim Bocerrit tashmë i kanë varur shpresat e tyre vetëm te zbardhja e tabulateve të telefonit të tij, pasi sipas tyre, zhdukja e të afërmit të tyre lidhet pikërisht me telefonatën që ai ka marrë para se të largohej. e.d.











