Arkeologë të huaj në kalanë e Shkodrës

Aug 11, 2011 | 10:14

SHKODER – Një grup arkeologësh shqiptarë dhe të huaj do të eksplorojnë “të fshehtat” e kalasë së Shkodrës. Kërkesat e drejtuesve të institucioneve kulturore në Shkodër tashmë kanë arritur të marrin përgjigjen e duhur. Drejtori i Parkut Arkeologjik të Shkodrës, Nikolin Shati, u shpreh se shumë shpejt do të nisë puna në terren. Në qendër të punës së kësaj ekspedite do të jetë gjetja e gjurmëve të arkitekturës ilire. “Është një nismë e ndërmarrë nga profesori polak i arkeologjisë, Piotr Dyzcek, i cili ka prezantuar projektin e tij të gërmimeve. Bashkë me specialistët e huaj do të jenë dhe ata shqiptarë që do të bashkëpunojnë në këtë nismë. E rëndësishme është që ky projekt është miratuar dhe nga Këshilli Kombëtar i Arkeologjisë”, u shpreh Shati. Sipas tij, kjo iniciativë është e Qendrës së Studimeve Antike për Europën Juglindore në Universitetin e Varshavës, përfaqësuar nga profesor Dyzcek. Kalaja Rozafa mbart vlera të jashtëzakonshme historike. Kjo ekspeditë synon që të gjejë gjurmët e humbura të arkitekturës greko-ilire për shkak të rindërtimit në kohën e mesjetës, në periudhën veneciane dhe turke. Sipas Shatit, “gërmimet do të përqendrohen rreth kalasë së Rozafës, për të qenë më specifik, në rrëzë të kalasë së Rozafës. Shkodra është një nga qendrat më të rëndësishme të ilirëve. Dhe pavarësisht kësaj të dhëne, në Shkodër nuk janë bërë gërmime për periudhën ilire”, tha ai më tej. Specialistët e huaj janë shumë optimiste se në këtë zonë do të zbulohen qytete ilire dhe diçka më shumë për mbretëreshën Teuta. Kjo iniciativë do të zgjasë 5 vjet. Mësohet se çdo vit ekspedita do të vazhdojnë deri në 6 javë. “Gjatë ekspeditës synohet të kuptohet topografia e qytetit si dhe të përcaktohet linja e murit fortifikues të qytetit të poshtëm, pra ajo që në gjuhën e përditshme është muri që rrethon kalanë e Rozafës. Projekti synon të identifikojë lagjet kryesore të qytetit. Nga gërmimi dhe gjetjet do të arrihet të realizohet një kronologji urbane për qytetin e Shkodrës, nga fazat më të hershme deri në ato më të vonat”, tha Shati. Sipas tij, objektivi kryesor i projektit është ndërmarrja e 5 fushatave arkeologjike në qytetin e Shkodrës. Qëllimi është që të përfitohen informacione të rëndësishme përsa i takon shtrirjes dhe arkitekturës së qytetit. Në kuadër të këtij programi, do të kryhen, gërmime, si dhe studim dhe publikim i të gjitha gjetjeve. Në këtë zonë ka një qytetërim mbi 2400-vjeçar. Vlerat arkeologjike janë shtresëzuar, ndaj duhet të bëhen gërmime të thella. Për të shkuar në kohën osmane duhet të gërmohet rreth 7 metra në thellësi, ndërsa për helenistikën apo më tej duhen më shumë se 10 metra thellësi. Nisja e këtyre ekspeditave dhe marrja e rezultateve të pritshme do ta kthejë realisht Shkodrën në një qendër të rëndësishme për turizmin.                         r.d

© Panorama.al

Te lidhura