Arjan Beqaj lë futbollin, bëhet trajner portierësh

Aug 17, 2011 | 12:32

Arian Beqaj i jep fund karrierës dhe nga dje është zyrtarisht trajneri i ri i portierëve të Anorthosis. Lajmin e konfirmojnë mediat qipriote, të cilat i kanë bërë një jehonë të madhe rikthimit të portierit të Kombëtares shqiptare te skuadra ku ai shënoi një sukses të jashtëzakonshëm. “Klubi i Anorthosis njofton se Arian Beqaj do të jetë trajner i ri i portierëve. Ai ka marrë së fundmi edhe licencën “UEFA A” për trajner. Beqaj pranoi propozimin e presidentit Kikis Konstandinu dhe nisi menjëherë punën. Ish-portierit i është besuar gjithashtu edhe mbikëqyrja e të gjithë portierëve, që janë pjesë e akademisë së Anorthosis”, – shkruhej dje në uebsajtin zyrtar të klubit qipriot.
Largimi – Portieri i Kombëtares shqiptare hoqi dorë nga futbolli, edhe për shkak të problemeve të shumta që pati me dëmtimet. Në fakt, sipas asaj që raportojnë mediat qipriote, vendimi i portierit për t’i dhënë fund karrierës është marrë të hënën. Një telefonatë e presidentit të Anorthosis, Kikis Konstandinu, i ka prishur mendjen Beqajt. Propozimi për të qenë në stafin teknik të Anorthosis i ka pëlqyer portierit dhe ai nuk e ka menduar dy herë, por ka pranuar ofertën. Beqaj ka një vit që është pjesë e skuadrës qipriote, Ermis Aradipu, por nuk arriti të aktivizohej kurrë. Në muajin janar ai u penalizua nga firmosja e dy kontratave gjatë fillimit të sezonit (fillimisht te Anorthosis dhe më pas te Olimpiakos Nikosa). Ndërkohë, kur portieri ishte gati për të debutuar me fanellën e Ermis, klubi qipriot kaloi një krizë financiare dhe të hënën shpalli falimentimin. Në këto kushte, Beqaj u largua nga Ermis dhe dje arriti të firmoste një kontratë me Anorthosis, por këtë herë jo si portieri i saj.

© Panorama.al

Te lidhura