Vonon, por nuk harron. Kështu ndodhi edhe me vëllezërit Taviani. Trofeun e më të mirit në një prej festivaleve më të rëndësishme në botë, Berlinale, e meritoi filmi italian “Cezari duhet të vdesë” (“Cesare deve morire”), me regji të vëllezërve Paolo dhe Vittorio Taviani. Filmi është një adaptim i lirë i tragjedisë së Shekspirit “Jul Çezari”. “Uroj që ata që do ta shohin filmin, të mendojnë që edhe një i burgosur, mbi të cilin rëndon një dënim i tmerrshëm, është dhe mbetet një njeri. Dhe kjo falë fjalëve madhështore të Shekspirit”, u shpreh Vittorio Taviani, teksa në duar mbante “Ariun e Artë”. Regjisori më i mirë i festivalit u shpall gjermani Christian Petzold me “Barbara”, aktorja më e mirë: kongolezja Rachel Mwanza me “Rebelle” të kanadezit Kim Nguyen, aktori më i mirë: danezi Mikkel Boe Folsgaard për interpretimin në filmin “A Royal affair” i Nikolaj Arcel, i cili meritoi edhe çmimin për skenarin më të mirë. Në këtë edicion u nda edhe çmimi i karrierës, i cili i shkoi aktores së madhe Meryl Streep.











