Arisi, ofertë 450 mijë euro në sezon për Salihin

Aug 24, 2011 | 11:13

Klubi i Arisit është i fiksuar pas sulmuesit shqiptar, Hamdi Salihi. Burime të rezervuara pranë lojtarit treguan për “Panorama Sport”, se skuadra selanikase i ka ofruar 450 mijë euro në sezon shkodranit.Grekët janë futur zyrtarisht në bisedime me Salihin dhe për këtë mësohet se është bërë shkes menaxheri shqiptar që jeton në Athinë, Vangjel Çavo. Nuk dihet nëse po ndërmjetëson edhe mbrojtësi i Kombëtares, Kristi Vangjeli, i cili aktivizohet prej disa vitesh te selanikasit. Gjithsesi, grekët i kanë bërë ofertën e tyre të parë për sa i përket kontratës së lojtarit.
Problemi
Salihi nuk po gjen hapësira te Rapidi dhe interesi i tij është të largohet nga skuadra austriake, por duket se gjithçka është në dorë të klubit. Duke qenë se Salihit i mbetet edhe një vit kontratë me austriakët, lojtari nuk mund të vendosë për të ardhmen e tij, pa e miratuar më parë transferimin te një skuadër tjetër drejtuesit e Rapidit. Këta të fundit kërkojnë të përfitojnë sa më shumë nga shitja e shkodranit. Madje kohët e fundit u fol në mediat austriake se kartoni i Salihit vlen 1.5 milionë euro. Me këto shifra, zor se grekët e Arisit do të bëjnë një sakrificë financiare. Mësohet se në bisedën që ka menaxheri i përgjithshëm i klubit grek me agjentin e Salihit, është interesuar më shumë me shifrën që do të kërkojë vetë lojtari. Grekët janë të bindur se  mund ta joshin Salihin dhe oferta prej 450 mijë eurosh në sezon, është si “hapëse” e bisedimeve. Gjithsesi, problemi kryesor i transferimit është pikërisht pretendimi e Rapidit për të përfituar sa më shumë nga shitja e shkodranit.

1 VIT kontratë i ka mbetur Salihit me klubin e Rapidit. Ai firmosi për austriakët më 31 gusht të vitit 2009 për 3 vjet. Në 55 ndeshje të luajtura deri më tani me rekordmenët e Austrisë, ai ka shënuar 33 gola.

Edmond Kapllani, dopietë ndaj Bajernit 2
Edmond Kapllani ka shkëlqyer në testin e djeshëm të Augsburgut kundër ekipit të dytë të Bajernit të Mynihut. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ka shënuar dy gola në barazimin 2-2. Në minutën e 4-të durrsaku ka kaluar në avantazh Augsburgun. Sulmuesi e nisi miqësoren ndaj bavarezëve si titullar dhe arriti të dyfishonte rezultatin në minutën e 49-të. Megjithatë, në fundin e lojës, ekipi i dytë i Bajernit të Mynihut barazoi rezultatin me 2 gola të shpejtë. Ndërkohë, për mediat gjermane, shpërthimi i Kapllanit është cilësuar si një “presion” që tashmë i bëhet trajnerit të Augsburg, Jos Luhukaj.

 

JORGIS MEMO

© Panorama.al

Te lidhura