
SHKODER – Megjithëse nuk është mbushur ende një vit nga përfundimi i ndërtimit të argjinaturës në zonën e komunës Dajç, gjendja teknike e saj lë shumë për të dëshiruar. Një fakt i tillë është bërë publik nga vetë drejtuesit e komunës Dajç. “Nëse nuk merren masa të menjëhershme për të bërë riparimet e duhura, si mbyllja e çarjeve në panelet mbrojtëse, pastrimi i kanaleve kulluese, mirëmbajtja e tyre dhe parandalimi i shembjes se vazhdueshme të dheut fare pranë argjinaturave, pasojat do të jenë fatale në rastin e prurjeve ujore gjatë stinës së dimrit”, pohoi për mediat Ernest Luka, kryetar i Zyrës për Mbrojtjen dhe Menaxhimin e Tokave në komunën e Dajçit. Sipas Lukës, gjendja e argjinaturave në komunën Dajç të Bregut të Bunës paraqitet shqetësuese. Ndonëse u ndërtuan një vit më parë, argjinaturat janë dëmtuar në mjaft vende dhe nuk garantojnë përballimin e rrezikut të Bunës për përmbytjet e dimrit. Në mjaft vende, erozioni ka gërryer terrenin që gjendet pranë argjinaturave panelet mbrojtëse kanë krijuar çarje, duke mos dhënë asnjëfarë sigurie për qëndrueshmërinë ndaj prurjeve të mëdha ujore. Kjo ka ndodhur pasi edhe terreni ku është ndërtuar argjinatura është ranor dhe karakterizohet nga shembje të herëpashershme. Një problem tjetër është edhe krijimi i tuneleve nga uji që rrezikon shembjen e krejt masës së dheut. Në dobësimin e kësaj argjinature kanë dikuar jo pak edhe kalimi sipër saj i mjeteve të tonazhit të rëndë. r.d











