Ardian Isufi: Censurimi i projektit për arsye fetare

Sep 7, 2012 | 13:58

Ardian Isufi

Reagimi pas konferencës për Bienalen e Venecias.

“Kuratori më kërkoi të zëvendësoja minaren e Kavajës me kullën e një kishe ortodokse”

“Censurimi i projektit tim ka baza religjioze”. Sipas artistit Ardian Isufi, kjo është arsyeja pse projekti i tij, ku paraqitej transformimi i kullës së fabrikës së qelqit në Kavajë në minare, u hoq nga Pavijoni Shqiptar i Arkitekturës në Bienalen e Venecias, vetëm një ditë para hapjes zyrtare. Isufi jep variantin e tij të ngjarjeve. Sipas tij, në thelb të gjithë kësaj qëndron fundamentalizmi fetar, i cili u shfaq në kërkesën absurde të kuratorit Voci për ndryshimin e maketit nga një minare në një kullë kishe ortodokse.
Në katalogun e pavijonit shqiptar të arkitekturës në Venecia figuron dhe emri juaj, por mësojmë se puna juaj nuk u vendos në momentet e fundit, çfarë ndodhi?
Projekti me të cilin unë paraqitesha, “Objekt i paidentifikueshëm”, lidhet me një objekt arkitektonik konkret, shumë interesant për t’u reflektuar në historinë shqiptare para dhe pas ’90-s. Një objekt i cili është tregues për tranzicionin tonë social, por edhe të religjionit. Ky projekt u mbështet fillimisht nga MTKRS, ku kemi dërguar të gjithë projektet tona. Komisioni selektues e pa si projektin më të mirë dhe e ka miratuar në unanimitet. Për arsye fondesh, MTKRS e pa të arsyeshme të mos e zhvillonte pavijonin në Bienalen e Venecias. Në këtë moment, në mënyrë të rrufeshme u përzgjodh kurator një prej artistëve pjesëmarrës, që ishte bashkëkonkurrent në pavijonin shqiptar, Ilir Voci. Së bashku me këtë kurator, i cili nga ana e tij e pëlqeu projektin, duke e konsideruar si shumë ambicioz dhe të veçantë, ndoqëm hapat për të realizuar projektin. Ndërkohë që unë kisha kohë që po përgatitesha me një maket arkitektonik, pasi e rëndësishme për mua ishte ta paraqisja këtë artefakt si pjesë të hapësirës së qytetit, më konkretisht në një vend shumë të veçantë, mes dy hapësirave të mëdha të Bienales që janë Giardiono dhe Arsenale, ku supozohej që në një të ardhshme të mundshme të instalohej si një objekt me përmasat reale. Eci mbarë si puna në Tiranë, edhe dërgimi në Venecia.
Duket sikur gjithçka ka shkuar mirë, ku nisi e krisura?

Maket-projekti i Ardian Isufit në Bienale

Një ditë përpara se të bëhej hapja zyrtare, kanë ardhur shumë njerëz të interesuar mbi artin bashkëkohor dhe një ndër ta ishte edhe kuratori me famë botërore Robert Stor, i cili para 4 ditësh ka kuruar Bienalen e artit pamor, dhe u shpreh me fjalët më të mira për projektin tim, duke e etiketuar si unik dhe origjinal. Kur puna filloi të publikohej dhe të ngjallte interes, u vu re një lloj irritimi jo vetëm te kuratori, por edhe te stafi i tij, ku shihja një lloj filtri të religjionit. Shakaja e hidhur apo gafa e kuratorit u shfaq në momentin kur hodhi pretendimin që në vend të minares mbi oxhakun e fabrikës, të ishte një kullë e një kishe ortodokse. Një ditë para hapjes së pavijonit u përballa me një mënyrë komunikimi, absolutisht jo profesionale dhe artistike, por që ishte e gjitha një komunikim fundamentalist.
Ju mendoni se thelbi i të gjithë kësaj është çështje religjioni?
Kuratori dhe stafi i tij nuk donin që ky projekt të shfaqej para publikut ndërkombëtar të Venecias, për faktin që mbi këtë oxhak është një kullë minareje. Kjo është shumë e rëndë dhe një absurd shumë i madh, pasi në të gjitha takimet që unë kam pasur me kurator dhe kritikë arti, të gjithë e kanë pëlqyer dhe u është dukur një gjetje shumë interesante për t’u sjellë për debat, në një epokë pikëpyetjesh të mëdha globaliste, të pranimit të tjetrit me identitetin që ka dhe atë hapësirë urbane dhe sociale që ka.
Mos ndoshta kuratori i druhej impaktit që vepra juaj mund të kishte në një vend katolik si Venecia..?
Impulsi pozitiv na erdhi një ditë para hapjes, që ishte vizita e kuratorit Robert Stor, i cili e konsideroi si një vepër shumë të mirë dhe unë e shoh si një problem tonin, të brendshëm, ku ne nuk jemi shkëputur ende nga një mentalitet postkomunist, ku religjioni është si një shtresëzim i fortë nënlëkurë dhe që në aktivitete të tilla të përmasave botërore duhej të ishte tejkaluar. Thelbi i censurimit të punës sime, në mënyrë kategorike dhe të papërgjegjshme, ishte filtri i religjionit, që çast pas çasti, nga dita në ditë u bë më i fortë. Kishte shumë sekuenca të vogla, që arriti në papërgjegjshmërinë më të madhe të kuratorit, por edhe të stafit të tij, që për mendimin tim nuk kishte vizionin bashkëkohor të shfaqjeve të projekteve. Më vjen keq që për herë të parë që shteti shqiptar e prezanton pavijonin e vet në një vend shumë të mirë, në Palazzo Zorzi, ku janë edhe zyrat e UNESCO-s, ne nuk bëjmë një pavijon shqiptar në konceptin bashkëkohor, por një panair me stenda, që i vëmë nëpër shkolla për të reklamuar 2-3 vlera tonat.
Kërkuat shpjegime nga kuratori për heqjen e punës suaj?

Harta e pavijonit shqiptar, ku figuron edhe emri i Isufit

Kërkova një arsye dhe kuratori ishte i papërgatitur për ta bërë këtë. Një nga arsyet ishte që “nuk i rri temës së pavijonit”. M’u desh t’i shpjegoja edhe një herë atë që kishim sqaruar më parë, se ky projekt qëndronte absolutisht brenda temës, sepse është një vepër që flet për trashëgiminë tonë industriale, e cila e ka historinë e saj në dy kohë, por më së shumti në epokën e komunizmit. Për mua, ky ishte një diskutim i tejkaluar prej kohësh.
Ku ndodhet projekti juaj tani?
Puna ime mund të jetë në një nga hapësirat ose në magazinat e Palazzo Zorzi-t dhe ky është banaliteti më i madh, pasi sipas broshurës së pavijonit unë jam një person që marr pjesë dhe qartazi përcaktohet dhe vendi im. Shumë të interesuar shkojnë atje dhe nuk e gjejnë. Pra, përtej mungesës së profesionalizmit, vijmë te një banalitet që ka të bëjë me mosparaqitjen e një pune që figuron e pranuar nga të gjithë, Ministra e kuratori.
Zv.ministri Abaz Hado u shpreh se puna juaj do të ruhet për bienalen e artit pamor, vitin që vjen…
Vetë zv/ministri e pa reflektimin që pati vepra në pavijon nga shumë njerëz. E di edhe që kjo vepër do përbënte një ngjarje dhe shpresoj që në të ardhmen ne ta ekspozojmë atë me vlerën që ka. Në këtë rast nuk qëndron problemi te dëmtimi im si artist, por te dëmtimi i një qasjeje, që mund të kishte hapur debat. Një debat që u ndërpre nga kuratori, pasi ndoshta mes të qenët artist dhe kurator fitoi të qenët artist. Ndoshta ishte një ambicie e sëmurë, ndoshta xhelozi, por më së shumti unë u përballa me një mur religjioni, një mur fundamentalizmi i moderuar, të cilin nuk e shohim nga ata njerëz që kryejnë ritualin e tyre dhe duken qysh në pamje të parë që i përkasin një besimi të caktuar, por tek ata që në pamje të parë duken të moderuar, por në fakt janë shumë të vjetruar në mentalitetin e tyre, çka u reflektua edhe te mospranimi i punës sime.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura