
Kevin Blom, gjyqtari holandez që do të drejtojë ndeshjen e sotme, as që e njeh fare “terrenin” se ku do të drejtojë.I gjendur rastësisht në hotelin ku ishin akomoduar gazetarët shqiptarë dje, 37-vjeçari është befasuar kur ka marrë vesh se stadiumi i “Zenicës” është një ndër më të nxehtit në Ballkan. “Nuk e dija se ky është një nga stadiumet më të nxehtë. Zenica nuk më jep përshtypjen e një qyteti shumë vital. Sigurisht që është një vend i këndshëm, por nuk më besohet se ky është stadiumi me tifozërinë më të nxehtë në Bosnjë, madje edhe në Ballkan. Kjo do të thotë se duhet të jem më i përqendruar më shumë nga sa mendoja”, ka thënë Blom për gazetarët shqiptarë. Më pas, ai ka pyetur sërish nëse informacionet që po i jepnin ishin të vërteta dhe se kjo nuk ishte një shaka. Më tej, arbitri ka folur edhe për incidentin në vitin 2007, kur futbollisti i Den Hagut, Aleksandër Rajkoviç, e kishte kërcënuar me vdekje. “Ishte një episod që më bëri të shqetësohesha shumë, por mendoj se lojtari mori ndëshkimin e merituar. Unë e mendoj futbollin si një sport dhe jo si luftë ku luhet për jetë a vdekje”, ka thënë arbitri.
Njohja
Arbitri ka pohuar se nuk njeh asnjë nga futbollistët e të dyja skuadrave dhe se ka pak njohuri si për Shqipërinë, ashtu edhe për Bosnjën. “Në fakt, nuk e prisja njoftimin nga UEFA për këtë ndeshje, por gjithsesi, për mua do të jetë një eksperiencë e bukur. Shpresoj shumë që t’ia dal me sukses dhe të jem sa më i drejtë”, ka thënë ai.
Përplasja në hotel
Kombëtarja e Bosnjë-Hercegovinës do të akomodohej dje në hotel “Zenica”, aty ku ishin vendosur edhe arbritrat që do të gjykonin ndeshjen. Kur e ka marrë vesh këtë, gjyqtari kryesor, Kevin Blum, u ka kërkuar zyrtarëve boshnjakë që të ndërronte urgjentisht hotelin. “Kjo është e pamundur, nëse Kombëtarja boshnjake ka prenotuar për t’u akomoduar në të njëjtin hotel me ne, atëherë ne duhet të largohemi prej këtej, ndaj duhet të na çoni në Sarajevë ose në ndonjë hotel tjetër, të paktën 10 kilometra larg prej këtej. Ne do të respektojmë rregulloren”, ka thënë arbitri Kevin Blom.
Bjellorusia, e sigurt për vendin e dytë
Bjellorusia pritet të ruajë pa probleme vendin e dytë të renditjes, ku pozicionohet aktualisht. Pavarësisht rezultatit në sfidën mes Bosnjës dhe Shqipërisë, ekipi i trajnerit Bernd Shtange do ketë një përballje të lehtë. Bjellorusët do presin në shtëpinë e tyre modestët e Luksemburgut dhe në letër duket se nuk do e kenë të vështirë për të marrë maksimumin, duke shkuar edhe në kuotën e 12 pikëve. Gjithsesi, është për t’u theksuar edhe një element tepër i rëndësishëm: Në gjashtë ndeshje të zhvilluara deri tani, Luksemburgu ka fituar vetëm një pikë dhe është barazimi i arritur në shtëpi pikërisht ndaj bjellorusëve. Pavarësisht kësaj, duket e vështirë që këtë herë të evitojnë humbjen, aq më tepër në transfertë.
Nga Bosnja, Leonard Karaj
© Panorama.al











