Të flasësh për standarde asnjëherë nuk është e lehtë, e aq më tepër për t’i vendosur ato. Nëse kalon në fushën e politikës, ato nisin e bëhen akoma dhe më të komplikuara, sidomos në ambientin e politikës shqiptare, në të gjitha trevat ku ajo ushtrohet. E megjithatë, Arbën Xhaferi është një emër që ka ditur t’i kapërcejë të gjitha barrierat e vështirësisë së rrezikut që mbart me vete një standard në politikën tonë. Jo se është rrekur ta bëjë qëllimisht një gjë të tillë, apo se ka pasur për ideal të jetë në këtë pozicion. Përkundrazi, thjeshtësia e gjenialitetit dhe hija e madhështisë që ai kërkoi, ndoshta gjithmonë, janë cilësorët që hodhën ato themele të forta që i duhet çdo standardi.
Të punosh urtësisht e të mendosh thellë janë gjëra të vështira për çdo njeri. Por nëse i ke të vetvetishme dhe sidomos nëse përkushtohesh t’i vësh në shërbim të një qëllimi të epërm a ideali të madh, siç është integrimi moral dhe shpirtëror i kombit shqiptar në gjirin e kulturës perëndimore, atëherë ato kthehen vërtet në busull. Publicistika e tij me tema të përzgjedhura si të qenë misione dhe trajtimi i tyre me gjasa të spikatura të një filozofie të jetës shqiptare në fusha të tilla si trashëgimia jonë historike, mentaliteti ynë juridik, problemeve e plagëve të mbrujtura për shkaqe social-historike, letërsia dhe kultura jonë, të ndërthurura me virtytet e mëdha që e kanë mbajtur gjallë ndër shekuj, janë kthyer shpesh në qerthullin e elitës së kulturës shqiptare në gurra debatesh e diskutimesh. Si rrallëkush, ai i thjeshtëzonte këto tema duke i gjallëruar me një shërbim aktual të pazakontë, për jetën njerëzore, politike dhe shoqërore të çdo shqiptari. Por gjykimi i urtë, largpamës e me këmbë të ngulura fort në tabanin e traditave tona, me vlerat dhe mangësitë, me sublimitetin dhe cenet e saj, kanë anuar gjithnjë në qasjet që ai ka mbajtur dhe mbështetur. Një drejtpeshim i tillë ka ndikuar shumë në faktorin politik, jo vetëm në problemet e tij të brendshme në Maqedoni, por veçanërisht në formësimin e një vizioni dhe platforme të qartë të filozofisë politike, që duhet të udhëheqë gjithë çështjen e kombit shqiptar. Janë të spikatura idetë e tij për shumë nga “pikat e nxehta” të gjeopolitikës aktuale, orientimit të mençur e të domosdoshëm euroatlantik, të kulturës dhe identitet-formimit të shtetit shqiptar, të historisë dhe shekullarizmit tonë, të prirjes europiane dhe rrugëve të duhura që mund të na shpien drejt paqes, lirisë dhe Europës. Veçse, nëse do të flisnim për një studiues dhe njohës të thellë të filozofisë, kjo do të qe e vlerësueshme, por jo standard. Po kur flasim për një politikan nga elita e qerthullit politik shqiptar, që ish nxitës, pjesëmarrës dhe promovues i Marrëveshjes së Ohrit, kulmit të gjithë historisë së shkurtër, por të gjallë, të politikës në Maqedoni, atëherë kuptohet menjëherë që një formim i tillë, i thellë e i gjithanshëm, shoqëruar me një largpamësi të urtë e të shtruar, përbëjnë një shembull që duhet ndjekur.
E kam njohur personalisht Arbën Xhaferin gjatë një konference shkencore mbarëkombëtare për aktualitetin e mendimit të ndaluar shqiptar dhe shkollën shqipe, të cilën e organizoi 4 vite me parë Qendra e Studimeve Albanologjike. Më befasuan jo vetëm dijet kapilare dhe të përpikta që ai zotëronte për këtë mendim, gati të harruar e të panjohur për shumicën e lexuesve në atë kohë (mendo për një politikan), por edhe shkrirja e këtyre dijeve në perspektivën shqiptare në Ballkan. Me fakte dhe krahasime historike, programore e filozofike, ai shpjegoi dallimin e madh mes programit të intelektualëve shqiptarë me Neo-shqiptarizmën e Merxhanit me shokë, të viteve ‘30 të shekullit të kaluar dhe shpirtin e tyre të prirur kah Perëndimi, dhe lëvizjes “Zenit” të intelektualëve serbë të Beogradit, të cilët atëherë synonin ta shpinin Serbinë e atëhershme drejt Lindjes e më saktë pranë mendësisë ruse e sllave të kohës. Ishin dy shkolla filozofiko-orientuese të kundërta të dy popujve ballkanikë, shqiptarëve dhe serbëve, që për hir të së vërtetës kishin të njëjtin kontekst kohor e historik, por mbeteshin me drejtime të ndryshme. Është vetëm një detaj, por që kthehet në një kusht a premisë të çdo mendimi të vyer dhe gjykimi të shëndoshë: dija dhe formimi i thellë filozofik e historik qëndron pas çdo profili politikani të suksesshëm, që arrin të lërë pas një emër të qëndrueshëm, në një epokë tranzicioni e trazirash të pafundme.
Por nuk është vetëm kjo vlerë e mirëfilltë intelektuale, ajo që mund ta kthejë jetën dhe aktivitetin e Arbën Xhaferit në një standard. Është sidomos mënyra se si ai e udhëhoqi këtë jetë. Shtruarësia nuk është hije, mos-karriera e rrufeshme nuk është frikë a mos-angazhimi “dekorativ” izolim. Jo. Ka shumë mënyra për të qenë i vlefshëm për kombin tënd, atëherë kur fuqitë fizike nuk të lënë. Por i vyer dhe emblematik kthehesh vetëm atëherë kur vendos të jesh i tillë, kur je në kulmin e fuqisë. Arbëni, politikani inteligjent shqiptar, si përfaqësuesi i denjë i trevave shqiptare jashtë kufijve të shtetit shqiptar, dëshiroi e qëndroi gjithnjë kështu, për të mbetur vërtet shembull i të urtit dhe të respektuarit pa ndihmën e bujës dhe shkëlqimit mediatik, që pa droje mund të themi se ndryshon shumë nga politika e sotme shqiptare e opinioneve të përnatshme dhe e show-ve të mërzitshme televizive. Është shumë e rëndësishme të ndahen vlerat, cilësitë nga imazhet dhe iluzionet që përçon hierarkia e stisur e tyre në publik, nëpërmjet artificave dhe fishekzjarrëve artificialë. Shpresojmë që gjithnjë ka për të mbetur e kërkuar dhe e referuar në të ardhmen mendimi e fjala e tij, përpara imazhit, largpamësia përpara bujës, dhe atdhedashuria përpara rrekjeve të nacionalizmave shterpë. Shpirtrat e kombeve mbahen të gjallë e vitalë, sigurisht edhe prej njerëzve të tillë si Arbëni. Le të marrë forcë dhe fuqi shpirti shqiptar edhe prej rastit të tij, për t’u prirë kah ideali i madh mbarëkombëtar, që ai luftoi për të formësuar. Po le të mbetet më shumë si një standard mënyra e punës dhe angazhimit të tij, për gjithë jetën dhe elitën e politikës së ardhme shqiptare.
© Panorama.al












