Aprovohet rezoluta kundër referendumit të serbëve në Veri

Feb 16, 2012 | 11:32
Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutën që kundërshton referendumin në Veri të Kosovës. Referendumi u mbajt gjatë të martës dhe të mërkurës nga serbët në komunat në Veri të Kosovës, për të shpallur autonominë nga Prishtina. Referendumi është kundërshtuar nga Prishtina, Beogradi (të paktën në deklaratat zyrtare) dhe nga zyrtarët e Bashkimit Europian. Nga 82 deputetë në sallë, 64 kanë votuar pro, asnjë kundër, ndërsa 9 deputetë kanë abstenuar. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së tha se mbajtja e këtij referendumi nga strukturat ilegale serbe ka cenuar rendin kushtetues të Kosovës, ndërsa ka kërkuar nga të gjitha grupet parlamentare që të miratojnë këtë deklaratë. “Serbia me këtë akt ilegal ka shkelur rendin, sovranitetin dhe integritetin e Republikës së Kosovës. Andaj, ne e konsiderojmë të domosdoshme nxjerrjen e kësaj deklarate”, ka thënë Grabovci. Deklarata u refuzua nga Vetëvendosja, që e quan atë “betonim” të planit të Ahtisarit, të cilin ata e kundërshtojnë. Albin Kurti ka zënë në gojë shpeshherë emërtimin “strukturat paralele serbe”. Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, tha se do të vijë dita që këto struktura do të quhen agresion i Serbisë në një pjesë të territorit të Kosovës. “Strukturat paralele, siç po i quajmë, por po ju them që ka me ardhur një ditë e shpejtë dhe kemi me i quajt me emrin e tyre të vërtetë dhe emri i tyre i vërtetë unë mund me thanë tash është agresion i Serbisë në një pjesë të territorit të Republikës së Kosovës”, tha Krasniqi. Në deklaratën me dhjetë pika, Kuvendi konfirmoi vullnetin për integrim institucional dhe shoqëror të komuniteteve që jetojnë në Republikën e Kosovës, e kundërshtoi, e shpalli të paligjshëm, e të pavlefshëm referendumin e strukturave paralele në komunat veriore të Kosovës, të financuara e të drejtuara nga Republika e Serbisë kundër pavarësisë.

© Panorama.al

Te lidhura