Apolonia mbledh artistë nga 4 shtete

Aug 16, 2011 | 10:59

Një javë e ngjeshur artistike në qytetin antik. Parku Kombëtar i Apolonisë në Fier do të kthehet në skenën e artistëve të ardhur nga Italia, Greqia, Kroacia e pa dyshim ata shqiptarë. Nga data 3-11 shtator, në kuadër të projektit “Archeos.s” do të zhvillohen “Netët Apoloniane”. Programi i “Netëve Apoloniane” ofron shfaqje teatri, baleti, operistike, ekspozita pikture e fotografike. Këtë vit, nën ombrellën e këtij aktiviteti janë përfshirë disa ngjarje të tjera artistike të zhvilluara mëvetësishëm gjatë viteve të fundit, si Apolonia International Festival, Festivali i Aktrimit “Apollon”, Sofra Ilire etj. Aktiviteti mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministria e Integrimit dhe Bashkia Fier, që është një nga organizatoret e këtij aktiviteti. Ky projekt, që do të zgjasë dy vjet, realizohet në kuadrin e Programit Evropian IPA Adriatic CBC në fushën e turizmit-kulturor. Sipas organizatorëve, ky projekt synon gjallërimin e jetës artistike në një nga qendrat arkeologjike më të rëndësishme të Shqipërisë, e cila së fundmi ka pritur edhe turistë të shumtë.

© Panorama.al

Te lidhura