Apeli i BE-SHBA: Duam të shohim dialog e reforma

Jul 22, 2011 | 11:27

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian i bëjnë thirrje klasës politike të bashkëpunojë për reformat e rëndësishme.Pasditen e djeshme, diplomatët më të rëndësishëm të akredituar në vendin tonë folën para mediave duke konfirmuar edhe një herë qëndrimin se forcat politike duhet të nisin dialogun mes tyre. Zv. ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Debora Jones, tha se vetëm nëpërmjet dialogut vendi mund të shënojë progres. “Ne punojmë dhe diskutojmë së bashku dhe siç e përmendi edhe ambasadori Sequi, çdo gjë e ka emrin dialog dhe reformë. Vetëm kështu mund të bëhet progres”, theksoi Jones, teksa shtoi se qëndrimi i SHBA-së është i njëjtë me atë të Brukselit. Ndërsa ambasadori i Komisionit Europian në vendin tonë, Etore Sequi, u shpreh se prioritet për Shqipërinë duhet të jetë plotësimi i 12-të rekomandimeve të vendosura nga BE-ja. “Të nisë dialogu politik, sidomos për reformën zgjedhore. Është e rëndësishme që të zbatohen reformat dhe të 12-ta rekomandimet e kërkuara nga BE. Unë i qëndroj deklaratës së bërë më parë nga Fyle dhe Ashton, se është koha për dialog”, u shpreh Sequi. Më herët, gjatë një konference të përbashkët për shtyp me ambasadoren e Polonisë në vendin tonë, ai tha se Brukseli është i gatshëm të ndihmojë Shqipërinë, por fillimisht duhet që të ulet polarizimi i situatës. “Shoh dhe kam parë muajt e kaluar polarizim dhe mosbesim. Por, dua të shoh rritje besimi dhe ulje të këtij polarizimi. Sepse ende besoj, ashtu si të gjithë, se integrimi është objektiv kombëtar për Shqipërinë. BE dhe Komisioni Europian qartësisht janë të gatshëm t’ju ndihmojnë. Kemi besim që të gjitha palët do të luajnë rolin e tyre që të ketë progres në këtë çështje”, tha Sequi. Më i prerë në këtë drejtim është treguar ambasadori i OSBE-së, i cili theksoi se integrimi dhe zbatimi i MSA-së kërkojnë patjetër dialog mes partive. “Unë do të theksoj atë që thanë diplomatët, Sequi dhe Jones. Jemi duke bashkëpunuar. Emri i lojës tashmë është dialog. Duhet të ketë dialog mes kampeve politike për integrimin e vendit. Natyrisht që bëhet fjalë për procese të rëndësishme, si ai i integrimit, MSA-ja etj., që kanë vënë një sërë detyrash para Shqipërisë dhe kërkojnë domosdoshmërish dialog. Ne jemi këtu për t’ju ndihmuar”, tha Volfarth.

Presidenca polake: Palët të ulen në tavolinë

Ambasadorja e Polonisë në Shqipëri, Irena Tatarzynska, vendi i së cilës mban presidencën e radhës së Bashkimit Europian, tha se kriza mund të zgjidhet vetëm duke u ulur palët në tavolinë. “Situata shumë e komplikuar dhe e vështirë politike që po kalon Shqipëria, mund të zgjidhet tepër lehtë. Tepër lehtë. Kërkohet vetëm një gjë, që palët të ulen në tavolinë. Të mësojnë nga ato që kanë ndodhur për të shmangur përsëritjen e gabimeve në të ardhmen. Pa dialog politik, herët a vonë do të dalë një problem tjetër”, tha Tatarzynska.

 

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura