
Emri i Arkimed Lushës, reperit të njohur me emrin “Stresi”, nuk radhitet më në listën e personave në kërkim nga policia, ndonëse e kishte një status të tillë muajt e fundit.Gjykata e Lartë shfuqizoi dje urdhrin e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda të dhënë në maj të këtij viti për arrestimin e Lushës me akuzën e “gjobvënies” ndaj regjisorit Leonard Bombaj. “Stresi” u shpall në kërkim pas dyshimeve të Prokurorisë për Krimet e Rënda se ai është një nga autorët e një “gjobvënieje” ndaj regjisorit Leondard Bombaj. Ndaj Arkimed Lushës u la në fuqi masa e sigurisë e caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, “detyrim për paraqitje”. Të njëjtin fat pati dje edhe Elis Bashaj, i akuzuar si bashkautor i Lushës në “gjobvënien” ndaj regjisorit Bombaj. Gjykata e Lartë prishi vendimin e Apelit të Krimeve të Rënda, që e shpallte atë në kërkim. Edhe ndaj tij u la në fuqi masa e sigurisë “detyrim për paraqitje”. Urdhër-arrestet e Apelit të Krimeve iu përcollën Policisë së Tiranës për ekzekutim një ditë pas shpalljes së vendimit në 26 maj, por ekzekutimi i tyre nuk u realizua.
“LIRIA”
Në dy seanca të veçanta, Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë shqyrtoi rekurset e avokatëve mbrojtës të të dyshuarve Arkimed Lusha dhe Elis Bashaj. Kërkesa e të dyshuarit Arkimed Lusha (Stresi), u shqyrtua nga një Kolegj Penal me relator gjyqtarin Aleksandër Muskaj. Ndërsa rekursi i paraqitur nga avokatët e të dyshuarit Elis Bashaj u shqyrtua nga një Kolegj, ku në rolin e relatorit ishte gjyqtari Gani Dizdari. Objekti i rekurseve ishte “prishja e vendimit të Apelit dhe shuarja e masës së sigurisë”. Burime pranë Gjykatës sqaruan se avokatët kundërshtuan vendimin e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda që caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” ndaj dy klientëve të tyre. Nga ana e saj, Prokuroria ka kërkuar lënien në fuqi të vendimi të dhënë nga Gjykata e Apelit, që caktoi “arrest me burg” ndaj të rinjve. Në përfundim, Gjykata e Lartë ka vendosur prishjen e vendimit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda dhe lënien në fuqi të vendimit të dhënë nga Shkalla e Parë e Krimeve në datën 06 maj 2011. Shkalla e Parë caktoi ndaj të dyshuarve Lusha dhe Bashaj masat e sigurisë “detyrim paraqitje”, për veprën penale të “vjedhjes”.
VENDIMI I APELIT
Vendimi gjyqësor që shpalli në kërkim reperin “Stresi” u shpall në 26 maj të këtij viti nga Gjykata e Apelit për Krimet e Rënda. Këtë ditë, Apeli miratoi katër fletë-arreste në ngarkim të Arkimed Lushës (“Stresit”), Elis Bashës, Rolado Kurtit dhe S. Ukcamajt. Në këtë vendim, Gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për Krimet e Rënda për caktimin e masës “arrest me burg” ndaj katër të dyshuarve. Sipas këtij vendimi, kualifikimi i veprës penale për të cilën dyshoheshin të rinjtë, ishte ajo e “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, në bashkëpunim. Më parë, më 6 maj, Shkalla e Parë e Krimeve të rënda rrëzoi kërkesën e organit të akuzës për caktimin e masës shtrënguese “arrest me burg” për të rinjtë për akuzën e “gjobvënies”. Shkalla e Parë kishte caktuar për ta masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për akuzën e “vjedhjes”, i njëjti vendim që u la dje në fuqi nga Gjykata e Lartë.
“Stresi”-Leonard Bombaj, akuza për “gjobvënie” e “përdhunimin” e vajzës
TIRANE – Vendimi i 26 majit 2011 i Apelit të Krimeve të Rënda për lëshimin e urdhër-arresteve ndaj katër personave, mes të cilëve edhe Arkimed Lusha (“Stresi”), nxori në dritë një histori “gjobvënieje” ndaj regjisorit Leonard Bombaj dhe dyshimeve për dhunimin seksual të një të miture. Fillesa e ngjarjes, që ishte mbajtur sekret që nga shtatori i vitit 2010, ishte regjistrimi në Komisariatin Nr.1 të Policisë së Tiranës i dy kallëzimeve të ndërsjella. I pari ishte ai i regjisorit Leonard Bombaj, i cili kallëzoi babanë e një ish-nxënëseje të tij për “kanosje”. Vetëm një ditë më pas, ish-nxënësja e mitur në praninë e një psikologeje kallëzoi në polici regjisorin Bombaj, duke pretenduar se ishte dhunuar seksualisht prej tij. Në vijim, Prokuroria e Tiranës nisi hetimet për të dyja kallëzimet. Burime pranë organit të akuzës bënë të ditur se procedimi penal ndaj regjisorit për “dhunë seksuale” është pushuar. Por, sipas Prokurorisë, situata kishte precipituar në të tjera rrjedha për regjisorin, ku miq të vajzës së mitur e kishin kanosur dhe shantazhuar atë. Kështu, për shkak të klasifikimit të mëvonshëm të veprës penale, hetimi i rastit i kaloi për kompetencë Prokurorisë për Krimet e Rënda. Më 6 maj, Prokuroria paraqiti para Gjykatës për Krimet e Rënda kërkesën për caktimin e masës “arrest me burg” për katër të dyshuarit si “gjobvënës” ndaj regjisorit. Sipas Prokurorisë, ata ishin Arkimed Lusha, Elis Basha, Relado Kurti dhe Sebastian Ukcamaj. Kjo kërkesë nuk u pranua nga Gjykata, e cila caktoi ndaj tyre vetëm masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, për akuzën e “vjedhjes”. Ankimi i këtij vendimi në Gjykatën e Apelit ndryshoi masën e sigurisë ndaj tyre. Gjykata e Apelit ndryshoi klasifikimin e akuzës së “shtrëngimit me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë” në bashkëpunim dhe caktoi ndaj katër të rinjve masën e sigurisë “arrest me burg”.
“GJOBVËNIA”
Sipas dosjes së Prokurorisë, regjisori Leonard Bombaj, drejtues i një qendre artistike për fëmijë, kishte përjashtuar prej saj një prej fëmijëve, të miturën 15-vjeçare B.D.(red) në shtator të vitit 2010. Komunikimi i këtij lajmi nuk është pritur mirë nga babai i të miturës. Ai ka kërcënuar më pas regjisorin, për të cilin Bombaj iu drejtua policisë. Por, me kallëzimin e më pasmë për “dhunë seksuale” nga e mitura, rrjedha u përkeqësua për Bombajn. Referuar thënieve të regjisorit në Prokurori, pas kallëzimit të tij për “kanosje”, ai ishte kërcënuar. Sipas tij, disa ditë pas këtij kallëzimi, disa persona kanë mbërritur në shtëpinë e tij dhe i kanë kërkuar 20 mijë euro. Referuar pretendimeve të Bombajt, këtë shumë parash ia kishin kërkuar në formë dëmshpërblimi duke e akuzuar për dhunimin seksual të mikeshës së tyre B.D. Po sipas deklarimeve të Bombajt, i detyruar prej tyre, ai pretendon se pak më vonë ka tërhequr në një bankomat nga llogaria e tij një shumë prej 50 mijë lekësh. Pasi janë ndarë nga ky takim, këta persona janë larguar bashkë me automjetin personal të regjisorit Bombaj. Sipas rrëfimit të regjisorit, më 23 shtator 2010, Arkimed Lusha dhe Elis Basha e kanë ritakuar atë. Pasi kanë siguruar certifikatën e pronësisë së automjetit, regjisori pretendon se ata kanë tjetërsuar pronësinë e automjetit para një noteri, në favor të tyre. Para prokurorëve regjisori ka deklaruar se i ishte kërkuar një shumë prej 5 mijë eurosh në këmbim të rikthimit të automjetit. Po sipas thënieve të tij, një tjetër “gjobë” i ishte vendosur nga i dyshuari Elis Basha. Sipas regjisorit, Basha i kishte premtuar që mund t’i mbyllte atij problemet me Drejtësinë në këmbim të një shume prej 3 mijë eurosh.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











