
TIRANE- Partia Demokratike ka denoncuar sot nismën e atyre që i ka quajtur si “skafo-deputetëve”, që sipas saj, me porosi dhe në interesa direkte te Mafjas së trafiqeve të drogës me të cilën ndajnë me sa duket fitimet, kanë marrë nismën për të anulluar moratoriumin e ndalimit të skafeve.
Në një komunikim për shtyp, zëdhënësja e PD-së, Silvi Bardhi u shpreh se “ Partia Demokratike denoncon këtë nismë të skafo-deputetëve që duan të shëndrrojnë Shqipërinë në skafo-republikë vetëm e vetëm për pasurimin e tyre me paratë e drogës dhe trafiqeve të tjera kriminale dhe që kërcënon interesin e levizjes së lirë të shqiptarëve në Europë.”
Në deklaratën e saj PD nënvizon edhe operacionin e një dite më parë të forcave shqiptare dhe italiane, që vendosën para ligjit rreth 32 antarë shqiptarë dhe italianë të një bande të madhe dhe tejet të rrezikshme të mafjas së trafikut të drogës, si dhe konfiskoi skafin dhe mjete të tjera të organizatës së tyre të krimit të organizuar.
“Partia Demokratike përshëndet këtë operacion të përbashkët të suksesshëm të forcave të rendit dhe agjensive të tjera të zbatimit të ligjit të dy vendeve tona, si dëshmi tjetër e bashkëpunimit të shkëlqyer që egziton midis tyre.”- tha zëdhënësja e PD-së.
Nisma është prezantuar disa kohë më parë nga deputeti i PS-së, Artan Gaci.
“Moratoriumi e ka vendosur Shqipërinë në një pozicion të turpshëm krahasuar me fqinjët bregdetarë që e shohin turizmin si burim mirëqënieje për qytetarët e tyre. Zgjatja e tij vetëm sa do të thellonte absurdin e një ligji që nuk përmbush asnjë qëllim përveçse penalizimit të industrisë së turizmit.”- shprehej disa kohë më parë, Gaci në një letër drejtuar deputetëve ku i ftonte të votonin nismën e PS-së.
© Panorama.al











