Antitank në Cërrik ’97, Toska: I vdekur ai që qëlloi policinë

Jun 24, 2011 | 11:15
Tanku i Gardës, pas sulmit në Cërrik në mars 1997

Arjan Toska, një nga të pandehurit e procesit gjyqësor ndaj masakrës së Cërrikut te Krimet e Rënda e ka përjashtuar veten nga ngjarja e 23 majit 1997, ku u vranë 6 efektivë të Gardës.Ndërsa autorësinë e goditjes së një prej blindave të Gardës, Toska ia ka “faturuar” Sokol Buzanit, i cili nuk jeton më. Në seancën e djeshme gjyqësore në ngarkim të pandehurve të kësaj masakre, gjykata është vijuar me pyetjen e të pandehurve. I pandehuri Arjan Toska tha për trupin gjykues se ditën e ngjarjes nuk kishte qenë i pranishëm në përplasjen me armë të efektivëve të Gardës me civilë të armatosur në qendrën e qytezës së Cërrikut më 23 maj 1997. “Unë nga mesi i majit kam shkuar në Cërrik. Kisha një hasmëri me Mandelën në Elbasan dhe prandaj shkova të jetoja te tezja në Cërrik. Për shkak të konfliktit që kisha me Mandelën, ai kishte plagosur disa familjarë të mi”, është shprehur Toska. Sipas tij, për shkak të kësaj hasmërie, ai me kushërinjtë e tij kishte ngritur edhe postbllokun e tij në lagjen “Kantier” në Cërrik. “Në postbllok bënim shërbim me turne. Ditën e ngjarjes pamë blindat të vinin nga drejtimi i postbllokut. Unë u largova nga frika dhe u fsheha te uzina. Gjatë kohës që qëndrova atje dëgjova të shtëna që vinin nga qyteti”, ka rrëfyer i pandehuri Toska. Po sipas dëshmisë së tij, ai kishte shkuar në qendër të qytetit rreth orës 5 ose 6 të pasdites. Po sipas tij, në tavolinën e një lokali kishte parë dy kushërinjtë e tij, Sokol dhe Bujar Buzani, si dhe të pandehurin Roland Xhepexhiu. Sipas Toskës, me Xhepexhiun ishte prezantuar në atë moment pasi më parë nuk e njihte. “Nga biseda që bëhej në tavolinë mora vesh që me granatë blindës i kishte gjuajtur Sokoli”, është shprehur dëshmitari. Po sipas Toskës, të pranishmit në këtë tavolinë kishin armë me vete. Seanca e djeshme ishte seanca e 125-të e procesit në ngarkim të 9 të pandehurve të kësaj dosjeje te Krimet e Rënda. Ngjarja e ndodhur më 23 maj në qendër të qytetit të Cërrikut u mori jetën gjashtë efektivave të Policisë dhe Gardës së Republikës. Mjetet e blinduara të forcave të rendit u goditën me plumba dhe me artileri deri në antitanke të një prite të mirorganizuar para mbërritjes së autokolonës në qytet. Një ditë para masakrës, rajoni i policisë së Cërrikut ishte sulmuar dhe marrë nën kontroll nga grupet e armatosura, ndërsa policia e Garda një ditë më pas tentuan ringritjen e tij. Nisja e policisë dhe e Gardës në drejtim të Cërrikut është “dekonspiruar” dhe në mënyrë të paqartë grupet e personave të armatosur kanë marrë vesh për aksionin e policisë. Menjëherë ata janë organizuar për disa ditë dhe më 23 maj 1997 kanë sulmuar autokolonën e forcave të rendit duke qëlluar me armë nga ballkonet dhe tarracat e pallateve.

 

Armand Bajrami

© Panorama.al

Te lidhura