Trajneri i Kombëtares, Josip Kuzhe, ka grumbulluar 23 lojtarë për dy ndeshjet kualifikuese për Euro 2012, ndaj Francës më 2 shtator dhe ndaj Luksemburgut më 6 shtator.Bie në sy rikthimi në ekipin përfaqësues i Ervin Skelës dhe Klodian Duros, dy futbollistë këta që jo vetëm nuk aktivizohen në asnjë skuadër që prej fundit të sezonit të kaluar, por nuk kanë zhvilluar as stërvitje gjatë kësaj periudhe. Skela ka kryer vetëm disa seanca stërvitore të lehta gjatë ditëve të fundit te klubi i kategorisë së katërt, Lajpcig, ndërsa Duro nuk ka prekur top me këmbë, përveçse në ditët kur qe i grumbulluar me Kombëtaren për miqësoren ndaj Malit të Zi. Gjithsesi, trajneri Kuzhe i ka grumbulluar duke besuar tek eksperienca e tyre për këto dy ndeshje. Ndërkaq, veç tyre, bie në sy grumbullimi i portierit Orges Shehi. Gardiani i Skënderbeut të Korçës është grumbulluar edhe për shkak të largimit nga futbolli i Arian Beqajt. Ky i fundit, i mbetur pa skuadër pas largimit nga Ermis Aradipu në Qipro vendosi të vazhdojë karrierën si trajner portierësh te Anorthosis Famagusta. Në repartin e mbrojtjes është grumbulluar për herë të parë për dy ndeshje zyrtare kualifikuese, mbrojtësi i Flamurtarit, Franc Veliu. Loja e mirë e këtij të fundit në kampionat gjatë sezonit të kaluar dhe në miqësoren ndaj Argjentinës në 20 qershor ka detyruar Kuzhenë që ta grumbullojë në skuadër. Ndërkaq, në këtë repart mungon për arsye kartonësh Andi Lila. Në mesfushë, përveç thirrjes së Skelës dhe Duros nuk ka asnjë risi. Në linjën e sulmit trajneri kroat i ka bërë një ftesë edhe Ahmed Januzit. Loja e mirë e këtij sulmuesi si dhe golat e shënuar me Vorsklan, sidomos në Ligën e Europës ka bërë që kosovari me pasaportë shqiptare të meritojë një fanellë kuqezi, ndonëse zor se do të aktivizohet në këto dy takime.
Lojtarët e grumbulluar
Portierë – Samir Ujkani (Novara, Italia), Isli Hidi
(AEL Limasol, Qipro), Orges Shehi (Skënderbeu)
Mbrojtës – Debatik Curri (Gençerbirligi, Turqi), Lorik Cana (Lazio, Itali), Armend Dallku (Vorskla Poltava, Ukrainë), Franc Veliu (Flamurtari), Admir Teli (Karabak, Azerbajxhan), Kristi Vangjeli (Aris Selanik, Greqi)
Mesfushorë – Ansi Agolli (Karabak, Azerbajxhan), Klodian Duro (pa skuadër), Ervin Bulku (AZAL Baku, Azerbajxhan), Altin Lala Hanover, Gjermani), Gilman Lika (Tirana), Emilian Vila (PAS Janina, Greqi), Ervin Skela (pa skuadër), Jahmir Hyka (Luzern, Zvicër), Gjergj Muzaka (Skënderbeu)
Sulmues – Erjon Bogdani (Çesena, Itali), Hamdi Salihi (Rapid Vjenë, Austri), Elis Bakaj (Dinamo Bukuresht, Rumani), Ahmed Januzi (Vorskla Poltava, Ukrainë), Edmond Kapllani (Augsburg, Gjermani)
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











