Anri Sala, performancë në Vlorë

Feb 7, 2012 | 12:06

Galeria “On The Move”, në bashkëpunim me “The Promenade Gallery” në Vlorë, paraqet “Arena”, performancën e artistit Anri Sala. “Arena” konsiston në shfaqjen e një videoje me të njëjtin titull të Salës, realizuar në vitin 2001 në Kopshtin Zoologjik të Tiranës. Një pamje e mjerë qensh në gjendje letargjie, që shoqërohen nga zëra kafshësh që vijnë nga një botë ekzotike dhe e gjallë, që nuk ka asnjë lloj lidhjeje me atë çka ofron kopshti zoologjik i kryeqytetit. Kjo video sjell në qytetin e Vlorës një nga emrat më të njohur të artit bashkëkohor në arenën europiane. Anri Sala tashmë ka bërë një emër të madh në hapësirat më të rëndësishme botërore të artit bashkëkohor, që nga Londra në Paris, Montreal, Miami etj. Sala është pa dyshim një nga shqiptarët më të njohur në botë, i cili me punët e tij mbi zhvillimin, kryesisht të Tiranës, e ka bërë këtë të njohur dhe tërheqëse jashtë kufijve. Vetëm pak kohë më parë u mësua se Anri Sala do të përfaqësojë Francën në Bienalen e Venecias. Qysh në konfirmimin e këtij lajmi, Sala zuri një vend të rëndësishëm në faqet e shtypit francez.

Kujtohet Hysen Hakani në 1-vjetorin e vdekjes
Kolegë e miq do të përkujtojnë sot një tjetër pionier të kinematografisë shqiptare. Në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, me rastin e 1-vjetorit të ndarjes nga jeta dhe në kuadër të nderimit të figurave të shquara të shtetit shqiptar në këtë 100-vjetor të formimit të tij, do të organizohet një ceremoni përkujtimore për nder të njërit prej regjisorëve të parë shqiptarë. Bëhet fjalë për Hysen Hakanin, regjisorin e parë të filmit artistik me metrazh të shkurtër, “Fëmijët e saj”. Hysen Hakani ndërroi jetë në moshën 79-vjeçare, një vit më parë. I nderuar me çmimin “Mjeshtër i Madh”, Hakani i ka dhuruar kinemasë shqiptare një sërë filmash, si “Debatiku”, “Njësiti gueril”, “Toka jonë”, “Oshtimë në bregdet”, “Cirku në fshat”, “Një ndodhi në port”, “Lundrimi i parë”, “Plaku dhe hasmi”, si dhe një sërë dokumentarësh. Ndonëse një nga themeluesit e kinematografisë shqiptare, Hakani kishte vite që ishte shkëputur nga aktiviteti krijues. Sot, në sallën e kinemasë së AQSHF-së do të shfaqet një montazh nga krijimtaria e regjisorit.

© Panorama.al

Te lidhura