Anne Hathaway, gruaja-mace që mrekulloi Obamën

Aug 27, 2012 | 14:49

Kritikët amerikanë thonë se interpretimi i saj si Catwoman në episodin më të fundit të Batmanit, i cili u shënjua edhe nga një masakër, ua kalon të gjithave. Madje, ajo ka marrë edhe lëvdatat e Presidentit amerikan, Barack Obama. Anne Hathaway, për pak muaj 30 vjeç po ecën e sigurt në karrierën e saj. Pas Batmanit, një tjetër rol te “Të mjerët”…

“Kam parë Batmanin e fundit. Është e mrekullueshme, gjëja më e mirë në film”. Ajo është Anne Hathaway. Ky vlerësim vjen nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama. Catwoman nuk mund të imagjinonte një “happy end” më të mirë. Më 6 gusht, Hathaway ishte një ndër organizatoret e mbrëmjes për mbledhjen e fondeve për fushatën elektorale të Obamës. Për të qenë me zotin President, të ftuarit paguan 35.800 dollarë për kokë. Mes të pranishmëve ishte edhe Joanne Woodward, drejtoresha e “Vogue America” Anna Wintour dhe producenti Aaron Sorkin. Duhej vetë presidenti që Hathaway, regjisori Christopher Nolan, protagonistët e filmit dhe gjithë Amerika të mund të përballonin horrorin e vërtetë të ndodhur më 20 korrik në Kolorado, kur në premierën e Batmanit, një student 24-vjeçar hapi zjarr në një kinema, duke vrarë 12 veta dhe plagosur 58 të tjerë. “Dhimbja e shkaktuar nga kjo dhunë e paparë na ka përfshirë të gjithëve. Ishte shokuese”, ka komentuar Hathaway menjëherë pas masakrës. Por jeta vazhdon. U hapën thashetheme për shtatzëninë e saj, megjithatë ajo është aq e dobët si rezultat i stërvitjeve për Catwoman e më pas për të luajtur rolin e prostitutës Fantinë, te “Të mjerët”. Shumë e kanë krahasuar me Audrey Hepburn, duke nxjerrë shumë ngjashmëri mes dy aktoreve. Por Hathaway nuk e vret aq lartë. Në një intervistë dhënë për revistën italiane “A”, ndër të tjera thotë: “Jam aktore, nuk jam një div”. Megjithatë ajo ka  merituar komplimentet e Presidentit Obama. “Mbështes Presidentin. Vendi im po kalon prej vitesh një krizë kalimtare, por unë kam besim. Nuk besoj se ëndrra amerikane është shuar… Por le të mos flasim për politikë…”

Atëherë le të flasim për filmat. Ishte e vështirë të ishe pjesë e “The Dark Knight Rises”? Spektatori ka arritur të shohë dhe anën tuaj seksi, veshur me ato tuta lateks…
Ah, po. Por ajo veshje, nën projektorët e xhirimit përvëlonin. Por për të qenë e reja Catwoman mund të përballohej pak nxehtësi…
E prisnit të luanit një rol, të cilin e kishin luajtur më parë Michelle Pfeiffer e Halle Berry?
Shpresoja, në fakt shpresonim shumë. Kur më telefonuan, isha në qiellin e shtatë dhe çdo ditë, përpara xhirimeve, pickoja veten si për t’u zgjuar nga një ëndërr.
Ç’ju pëlqen te Catwoman?
Është e fortë dhe e brishtë. Ka një nevojë të madhe për të dashur, por njëkohësisht është e pavarur. Është një hajdute dredharake, por nuk tradhton. Nëse është e detyruar ta bëjë për të shpëtuar jetën, kthehet për të luftuar për të mirën.
Jeni vegjetariane, nuk pini duhan. Jeni shumë e dhënë pas shëndetit. Keni mbajtur dieta, keni bërë gjimnastikë… ishte e vështirë periudha e trajnimit për filmin?
Dola e fituar, më bëri tip sportiv, jo se më parë isha gocë mamaje ëëë. Gjatë xhirimeve nuk kam përdorur dublante. Pasioni im për vallëzimin më ka ndihmuar.
Sipas kritikëve amerikanë, interpretimi juaj si Catwoman i mund të gjitha…
Mos më bëni të skuqem. Merita i shkon Christopher Nolan, një regjisori me të vërtetë special, i pasionuar dhe i përgatitur. Ishte aty duke të ndjekur në çdo moment. Pastaj ishte një mrekulli të luaje me Christian Bale, me një legjendë si Michael Caine dhe me një të “keq” si Thomas Hardy.
Në film ngisni një motor që do t’i fuste të dridhurat edhe 007-ës. Si shkuan leksionet?
Në fakt, dija të ngisja qysh më parë. Me Batmanin zbulova se paskam qenë gjithmonë pak djalë. Kam marrë leksione për arte marciale dhe kam vënë muskuj. Është qesharake të presësh të 30-at për të zbuluar anën time të fortë.
Cili ka qenë momenti më i bukur?
Kur i them Batmanit: Lër gjithçka dhe arratisemi bashkë.
Por në film ti puth Bruce Wayne dhe jo Batmanin..
Skenë e madhe, apo jo? Unë arrij të vjedh nga kasaforta kolanën e perlave të mamasë së tij. Vallëzoj me të. E mrekullueshme…
Pas Catwoman do t’ju shohim në rolin e prostitutës Fantinë, në muzikalin e Tom Hooper “Të mjerët”. Ju është dashur të zbatoni dieta shumë të forta për të realizuar këtë rol…
Por ama kam punuar në Paris dhe roli im është i mrekullueshëm! Është e vërtetë, kam ndjekur një dietë shumë të ashpër, por tashmë i kisha muskujt e përgatitur që nga Catwoman.
Pastaj, tak.. i futët një të prerë. Për një grua flokët kanë shumë rëndësi….
Në fakt, nuk mendoja se do ia dilja mbanë, por… Gati i rruajta flokët dhe tani dalwngadalw po i rris. Tani më pëlqejnë kështu.. por në javët e para ndihesha lakuriq, e pambrojtur…
Çfarë ju pëlqen të bëni kur keni pak kohë për veten?
Të lexoj. Të mundja, do blija një libër në ditë. Nuk mërzitem kurrë, jam e aftë të mos i shkëpus sytë nga faqet për një ditë të tërë. Më mjafton një mbrëmje e lirë apo një udhëtim me avion. Kur xhiroja “Becoming Jane”, mbi jetën e shkrimtares Jane Austen, kaloja ditë të tëra në British Library duke shfletuar librat e saj.
Të tjerë shkrimtarë të preferuar?
Gabriel Garcia Marquez. “Kujtime kurvash të trishta” është i mrekullueshëm.
Ndërkohë jeni impenjuar edhe në shumë shoqata…
Sigurisht, për The Human Right Campaign (një shoqatë për të drejtat e homoseksualëve) dhe për pacientët e vegjël të St.Jude Children Hospital. Për t’u bërë aktore kam lënë kolegjin dhe nuk ishte një zgjedhje e thjeshtë. Por nuk do të heq dorë kurrë nga këto impenjime.
Sa rëndësi ka moda për ju?
Më intereson, por nuk jam e fiksuar pas saj. Edhe pse është e këndshme të dukesh bukur në premierat e filmave. Jam me fat që kam veshur veshje të mrekullueshme nga Valentino, Giorgio Armani, Chanel, Vera Wang, Prada, Nina Ricci, e shumë të tjerë. Por ndërkohë ndihem shumë mirë teksa nxjerr shëtitje qenin tim, Esmeraldën, e veshur me xhinse dhe balerina.
Në Europë shumë të rinj nuk kanë një punë të vërtetë, ç’do t’u thoshe?
Në jetë rritesh. Vështirësitë duhet të të bëjnë më të fortë. Duhet të kesh gjithmonë kurajë. Si Catwoman. E rëndësishme në jetë është të kesh projekte dhe të dish të marrësh përsipër edhe rreziqe.

Pasaporta
Emri
Anne Jacqueline Hathaway
Kombësia
Amerikane
Data e lindjes
12/11/1982
Shenja e horoskopit
Akrepi
Profesioni
Aktore, dublante, prezantuese
Tiparet
Gjatësia 173 cm, flokë të zinj, sytë ngjyrë gështenjë

© Panorama.al

Te lidhura