Poligoni i Tërpanit në rrethin e Beratit, që kryente procesin e shpërthimeve të predhave me gropa, nuk do të përdoret më për demontimin e municioneve. Lajmi u bë i ditur dy ditë më parë nga Tërpani nga zv.ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahiu, gjatë inspektimit të përfundimit të këtij procesi. Ky poligon i përdorur për disa vite për asgjësimin e municioneve, nuk do të funksionojë më si i tillë, duke i dhënë kështu fund shqetësimeve të ngritura nga banorët e zonës për dëmet në banesa nga shpërthimet, por edhe viktimat e shkaktuara. Tre persona kanë humbur jetën dhe janë plagosur rëndë tre të tjerë gjatë këtij procesi në këtë poligon. Në bazë të procedurave standarde operacionale, tashmë ky poligon vlerësohet si “Hotspot”, që do të thotë se do t’i nënshtrohet procedurave të specializuara të pastrimit nga municionet e mundshme të paplasura. Spahiu theksoi se poligoni nuk do të përdoret më për asgjësimin e municioneve, por në të njëjtën kohë bëri të ditur për banorët e zonës se kjo zonë është e rrezikshme dhe pavarësisht nga masat paraprake që janë marrë, nuk duhet të përdoret prej tyre apo të gërmohet për skrap, ose të punohet për mbjellje. Mësohet se predhat e mbetura do të transportohen gjatë këtyre ditëve në poligonin e Poliçanit, ku demontimi kryhet në mënyrë më të specializuar. Sipas të dhënëve që u bënë të ditura nga komuna e Tërpanit, nga shpërthimet e predhave në këtë poligon janë dëmtuar 50 banesa, të cilat kanë dalë jashtë funksionit. Këtë fakt e pranoi madje dhe vetë zv.ministri Spahiu, i cili u shpreh se nga shpërthimet janë dëmtuar shumë banesa, si dhe është rrezikuar jeta e banorëve. d.xh











