Një baladë që i dedikohet dashurisë si ndjenjë e fortë. Anjeza Shahini sapo ka përfunduar xhirimet e klipit të saj të ri me titull “Të desha shumë”, që pritet të publikohet pas pak ditësh në kanalet muzikore. Xhirimet e klipit janë realizuar në Tiranë, dhe kjo do të jetë shfaqja e saj e parë në një klip muzikor pas atij me titull “Ti dhe unë”, në duet me Dren Abazin e “Zig Zag Orchestra”. Në klip, Anjeza shfaqet në një stil të ri, ndërsa kujton dashurinë e saj duke udhëtuar me makinë. Gjatë kësaj periudhe, Anjeza ka qenë e angazhuar për të zgjedhur talentet e reja të muzikës në audicionet e spektaklit “X Factor”, që po transmetohet në “Tv Klan”. E zbuluar si talent nga një reality show i ngjashëm, “Ethet e së premtes mbrëma”, ajo tashmë e sheh si një kohë të largët atë të gjykimit nga një juri profesioniste. Megjithatë, tashmë koha për të ka ecur shumë dhe ajo renditet në emrat e këngëtarëve profesionistë dhe mjaft e talentuar. Klipi “Të desha shumë” është një tjetër këngë dashurie pas asaj “Ti dhe unë”, me të cilën konkurroi në “Top Fest”. Ky ishte bashkëpunimi i parë me djemtë e këtij grupi kosovar, me të cilët këngëtarja u njoh pak kohë më parë në “Netët e klipit” në Tiranë, dhe që më vonë u takuan në Kosovë. Kënga “Ti dhe unë” e riktheu Anjezën në garën e festivaleve, pas konkurrimit të saj të fundit në Festivalin e Këngës në RTSH, në vitin 2009. Nuk dihet se cilat janë planet e saj, nëse do të vazhdojë të konkurrojë në festivalet e këtij viti në “Top Fest”, “Kënga Magjike” apo “Festivalin e RTSH”.











